Protesta e katërt për Martinin, avokati: Pikëpyetje për një person

Avokati Gentian Serjani, thotë se heshtja e institucioneve tregon që ngjarja te shkolla “Fan Noli” ku mbeti i vrarë Martin Cani dhe u plagos Luis Meçe, duhet të harrohet.  Po ashtu ai ngre pikëpyetje mbi përfshirjen e një personi tjetër në vendngjarje. Sipas tij prokuroria duhet të luajë rol vendimtar për këtë ngjarje dhe jo policia të deklarojë se kush është fajtori.

“Heshtja vret! Në momentin që institucionet heshtin, lënë hapësira që të mendohet për çdo lloj falsifikimi dhe keqpërdorimi të ngjarjes, dhe nuk janë shprehur në momentin e parë për ngjarjen dhe për të bërë transparencë për personat e përfshirë në ngjarje dhe për të kuptuar rolin e gjithsecilit në ngjarje. Ne shohim që ka pikëpyetje sa i përket një personi që ka qenë në vendngjarje. Nuk mund të jetë policia që të deklarojë se cili është fajtori.

Duhet të jetë prokuroria dhe sa kohë hetimet e prokurorisë kanë akoma hapësira për të marrë dëshmi dhe deklarata e prova shkencore, do të jetë momenti i dytë që të dalë e të tregojë se cili ka qenë roli i secilit në vendngjarje. Unë do të dija që prokuroria të luante rol deçiziv për rastin kjo për prindërit e Martinit e Luisit, por edhe si precedent për të parandaluar ngjarje të tilla. Nëpërmjet drejtësisë duhet të parandalojmë ngjarje të tilla. Për mua primare është një formë ngushëllimi prindërve, por nëse do të ketë devijime të drejtësisë, ne do të jemi aty për të kërkuar drejtësi për rastin”.

Duke folur për protestën e katërt që do të zhvillohet sot pasdite duke filluar nga shkolla “Fan Noli” në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe parlamentit, Serjani theksoi se kërkohet mbajtja e përgjegjësisë nga institucionet. Sipas tij, Rama duhet të kishte reaguar duke rritur buxhetin për arsimin për plotësimin e shkollave me psikologë dhe oficerë sigurie.

SHKARKO APP