Protesta e naftëtarëve ”shkon” në Kuvend, debat mes Hajdarit dhe Ballës
Protesta e naftëtarëve të Ballshit përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, u bë debat edhe në Kuvend. Deputetja Rudina Hajdari thotë se është një turp për politikën shqiptare që hesht, ndërkohë që ata punëtorë po kërkojnë pagat për të mbajtur familjet e tyre. Në fjalën e saj, ajo përmendi se një grup të pangopurish që e kanë lënë vendin me 900 milion euro borxh jetojnë si sheik, ndërsa punëtorët që kërkojnë pagat procedohen.
”Kemi në një anë njerëz të palodhur, që punojnë dhe nuk paguhen. Nga ana tjetër kemi disa njerëz të pangopur, që kanë marrë këtë pasuri, e kanë shfrytëzuar dhe e kanë futur vendin në gropë”, tha deputetja, që së fundmi i është bashkuar lëvizjes më të re politike, Nisma. “Naftëtarët janë njerëz me dinjitet, por sot janë kthyer pa dinjitet nga qeveria. PËrballen me heshtje në Parlament. Nuk gjejnë dot drejtësi sepse qeveria hesht por edhe opozita që e quan veten opozitë jashtë Parlamentit hesht”.
Sipas mazhorancës përgjegjësia ligjore tashmë nuk është e shtetit, ndërsa ajo politike i përket një tjetër qeverie. “Rafinerinë e Ballshit në atë situatë e çoi një privatizim i paligjshëm, korruptiv i Sali Berishës. Është dashur që në vitin 2013 që ai proivatizim të hetohet nga Prokuroria. Nuk ka pasur njeri dyshime që prokuroria deri tani nuk do të bënte ndonjë hetim. Nuk e di si mund të ngresh gishtin kundër qeverisë kur aty është një kompani private”, tha kryetari i grupit socialist, Taulant Balla.