Protesta e opozitës, zv.Ministrja e Brendshme: Policia, plan të mirëorganizuar operacional
Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, u shpreh në emisionin “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja se “Policia e Shtetit ka gati planin operacional” në kuadër të protestës së opozitës në 16 shkurt.
“Ministria e Brendshme bën thirrje që protestuesit të ruajnë qetësinë dhe të mos bëjnë akte vandale. Ndërsa Policia e Shtetit ka për detyrë që të bëjë një plan operacional sa herë që ndodh një protestë”, tha Voda.
“Plani operacional është gati dhe parashikon skenarë nga më të ndryshmit. Edhe nëse shkelet vija e kuqe”, shtoi Voda.
Video-skandali në Malësinë e Madhe, SHÇBA po heton. Ende mister denoncuesi
Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda foli edhe për video-skandalin në Gruemirë të Malësisë së Madhe, si pasojë e të cilit një efektiv i forcave të rendit u arrestua për ngacmimin seksual të një 15-vjeçareje.
“Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) direkt ka regjistruar çështjen dhe është marrë me ngjarjen. Sot kemi një polic prapa hekurave. Ende nuk e dimë se kush është denoncuesi, por SHÇBA po vazhdon hetimin dhe derisa të zbardhet ngjarja, nuk mund të dimë detajet e hetimit”, deklaroi Voda.
“Ky rast do të zbardhet”, shtoi zv/ministrja.
Voda: Shqipëria, jo më problem për kanabisin
Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, deklaroi në studion e emisionit “Top Talk” se sipërfaqja e mbjellë në Shqipëri me kanabis është ulur ndjeshëm.
“Në vitin 2013 ka qenë 323,5 hektarë sipërfaqe e mbjellë me kanabis. Sot, vetëm 0,8 hektarë. Kjo sipas Guardia di Finanza”, tha zv/ministrja.
Kur u pyet nëse ka sërish kanabis në vendin tonë, Voda tha se “historia e kanabisit është një histori e mbyllur”.
Por, kur moderatori Denis Dyrnjaja iu drejtua zv/ministres duke i thënë se mos nuk po prodhojmë më kanabis pasi interesi ka kaluar te drogat e forta si kokaina dhe heroina, Voda tha: “Edhe kur është kultivuar kanabis, ka pasur sasi të sekuestruara të drogave të forta. Por, ka ndryshuar lufta pa kompromis dhe kontrollet e rrepta nga autoritetet. Skanojmë 100% çdo mjet që qarkullon mallra”.
KOHA JONË SONDAZH

