Protesta e PD, Berisha: Ka ndryshuar fatet e Shqipërisë, tek Rilindja do mbesë Rama dhe Basha
Sali Berisha teksa ka mbajtur fjalën nga ballkoni i banesës së tij ku prej 30 dhjetorit 2023 është në izolim, tha se protesta e opozitës ka ndryshuar fatet e vendit. Sipas tij, Rilindja do të reduktohet në vetëm dy njerëz, që janë Rama dhe Lulzim Basha.
”Pas natës së djeshme, Edi Rama nuk mashtron dot as njerëzit e tij më të afërt e jo më shqiptarët. Me ç’fytyrë do të ju thotë ai shqiptarëve, pas uraganit të djeshëm se opozita është e dobët, se Sali Berisha është i izoluar. Me ç’fytyrë do tu thotë Rama shqiptarëve, se shqiptarët e duan, ndërkohë që ata dolën në uraganin më të madh që mbahet mend, pikërisht kundër aleancës së qelbësirave me në krye Edi Ramën.
Do ta shihni shpejt, socialistët e ndershëm do të zgjohen dhe do të kuptojnë se Edi Rama dhe rilindja ua ktheu partinë e tyre në një shpellë krimi. Miq mbajeni mend këto fjalë. Do ta shihni se si në fund, rilindja do të reduktohet në vetëm dy njerëz.
Në dy njerëz, Edi Rama dhe Lulzim Brava. A e dini pse? Sepse janë të vetmit që edhe në fund besojnë në mashtrimet e tyre. Rama beson se e duan shqiptarët, ndërsa Brava beson se i takojnë fondet publike të PD-së për ti përdorur për qëllimet e tij. Arritja e dy e madhe e uraganit të 20 shkurtit, është jehon ndërkombëtare e jashtëzakonshme e tij. Vlerat e kësaj jehone janë të shumëfishta”,-tha Berisha.