Protesta e sotme. Dihet fillimi, por jo përfundimi i revoltës demokrate

 

Partia Demokratike pritet të zhvillojë sot protestën më të madhe që nga dalja e saj në opozitë në vitin 2013. Ndërsa Berisha ka thënë se do të jetë protesta-revoltë më e madhja e parë në Tiranë.

Deri në mesnatën e mbrëmshme degët e selisë blu në rrethe janë porositur të sjellin sa më shumë njerëz në miting. Por duket se po përgatitet skenari rezervë, ku flitet për përballje. Prej gati një muaj janë hartuar listat e degëve të PD-së me militantët më të zjarrtë të kësaj partie, të cilët do të jenë në radhët e para të tubimit të demokratëve. Çdo deputet dhe kryetar parie do të sjellë një numër të konsiderueshëm militantësh. Edhe gjatë mbrëmjes së  djeshme kreu i PD-së-, Lulzim Basha u ka dërguar një mesazh telefonik gjithë anëtarëve të regjistruar të PD-së ku u bënte thirrje për të marrë pjesë në protestë. Ndërkohë që veç bazës së PD-së një rëndësi e veçantë në këtë protestë u është dhënë të rinjve të Forumit Rinor Demokrat të cilët pritet të jenë aktiv më shumë sesa në mitingjet e mëparshme. E gjithë strategjia e PD-së është fokusuar tek numri sa më i madh i protestuesve duke synuar që t’i japin një sinjal force mazhorancës aktuale dhe Kryeministrit Edi Rama.

Krahas përgatitjes së PD-së për mbarëvajtjen e mitingut janë vënë në lëvizje të gjithë strukturat e sigurisë në vend. Drejtoria e Policisë së Tiranës prezantoi dje planin e masave për trafikun në kryeqytet. Parashikohet që për gati pesë orë, aq sa ka kërkuar dhe leje PD-ja, trafiku të bllokohet në qendër të qytetit dhe në akset kryesore që të çojnë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Veç masave për  trafikun strukturat e rendit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë kaluar në gatishmëri për mitingun e sotëm. Në ndihmë janë thirrur dhe forcat policore të qarqeve të tjera, për të qenë në gatishmëri për çdo situatë që mund të dalë nga kontrolli.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë do të vendosen në pjesën e pasme të Kryeministrisë. Ndërkohë që gjitha zona e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” do të jenë e survejuar nga snajperë. Mësohet se në distancë nuk do të mungojnë dhe patrullimet nga ajri me helikopterë. Kordoni i parë i policisë, para protestuesve, pritet të jetë si në rastet e kaluara me police femra. Ndërsa në radhën e dytë do të jenë forcat e tjera të policisë të armatosura rëndë për çdo situatë. Veç masave të dukshme të policisë prej disa ditësh janë vënë në lëvizje dhe agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror, të cilat kanë ndjekur masat e organizimit të protestës. Ashtu si në mitingjet e tjera të partive politike ku ka rrezik për shpërthim dhunë edhe në këtë miting agjentë të SHIK pritet të jenë mes protestuesve. Dje porosia është dhënë e prerë nga Visho Ajazi për agjentët e tij sekretë.

Një prej aktëve që është deklaruar nga mediat afër kryeministrit mbetet qëllimi me vezë i Kryeministrisë. Po mesditën e djeshme u zhvillua një takim në Partinë Demokratike ku ishin të pranishëm organizatorët e protestës si dhe disa ish-drejtorë të Policisë gjatë tetë viteve të qeverisjes “Berisha”. Qëllimi i takimit ishte koordinimi i veprimeve nga protestuesit për të shmangur përplasjen, apo dhe provokimet që demokratët mendojnë se mund t’u bëhen nga policia. Në këtë pikë, strategjia për sigurinë e mitingut duket sikur është mes drejtuesve aktualë të policisë dhe ish-drejtuesve të Berishës. Pra janë përballë edhe dy palët drejtuese të Policisë së Shtetit.  Turma e protestuesve do ta ndalet para zyrës së kryeministrit Rama, i cili nga ana e tij ka thënë se le të vijnë demokratët e Lul-Saliut pasi në zyrë me keni. Fakti që ai do ta ndjekë protestën e demokratëve nga zyra e tij, pas xhamave të blinduar, tregon vendosmërinë e Kryeministrit se ka siguri që protesta nuk do të kalojë në revoltë apo demonstratë. Ose ka siguri tek forcat e policisë dhe gardës që e mbrojnë.

Sot protesta ka moton për largimin përfundimtar të qeverisë, sipas tyre. Duan zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike. Por këto nuk jepen , por merren! T’i marrësh duhet të tregosh forcë numrash dhe vendosmëri e përballje. Nëse Lulzim Basha vetëm flet si përherë në mitingje dhe pa një plan konkret, atëhere demokratët vijnë e ikin, siç erdhën.  Lulzim basha ka shansin sot të shkruajë historinë e tij në PD. Nëse plani “B” të cilin e kanë në xhep ish-drejtuesit e policisë së kohës së Berishës vihet në zbatim atëhere merren zgjedhjet e parakohshme e qeveria teknike. Por ka një gjë të cilën nuk e dinin deri mbrëmë drejtuesit e qeverisë: Sot, flet Sali Berisha në miting. Ai nuk ka dalë në podium asnjëherë që prej kohës kur dha dorëheqjen nga kryetar i PD-së. Ndërsa pritet që mitingun ta ndezë Berisha. Ndaj pas fjalës së tij nuk dihet se si zjarri demokrat mund të shuhet,- shprehet një drejtues i selisë blu.

 Sot ka dy rrugë shprehet këshilltari i Bashës për mediat: “Ose fiton Shqipëria ose tirania mbulon vendin! Por do ta rrëzojmë Edi Ramën !”. Nga ana tjetër në PS thanë për “Koha Jonë” se mitingashët e Saliut e të Lulit vetëm sa do të na bëjnë pis bulevardin se nuk kanë takat përballë 1 milion votave tona.

Në darkë mbetet të shikojmë kush fiton: Edi Rama apo Basha-Berisha.

 

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP