Protesta kundër abuzimeve seksuale, kreu i KMSH: Raste të tilla duhen dënuar, kemi detyrim të reagojmë ndaj së keqes
Komiteti Mysliman i Shqipërisë ka mbështetur protestën e zhvilluar ditën e sotme në kryeqytet kundër abuzimit seksual ndaj të miturës në Rrëshen. Kreu i KMSH, Bujar Spahiu, përmes një postimi në facebook, thekson se është i papranueshëm çdo rast abuzimi ndaj gruas, gjysmës më të mirë të shoqërisë.
Po ashtu Spahiu thotë se raste të tilla duhen dënuar pa mëdyshjen më të vogël nga secili prej nesh dhe se e kemi detyrim të reagojmë ndaj së keqes në çdo formë që ajo shfaqet
“Është i papranueshëm çdo rast abuzimi ndaj gruas, gjysmës më të mirë të shoqërisë njerëzore. Rasti më i fundit i abuzimit me të miturën në Mirditë është tronditës. Përveç reagimit të organeve kompetente, që duhet të jetë reagim i shpejtë dhe shembullor , i atillë duhet të jetë edhe reagimi i mbarë shoqërisë. Raste të tilla duhen dënuar pa mëdyshjen më të vogël nga secili prej nesh, e kemi detyrim të reagojmë ndaj së keqes në çdo formë që ajo shfaqet”.