Protesta në Mianmar, shkon në mbi 600 numri i viktimave

Më shumë se 80 veta u vranë të premten, në lojë edhe grupet rebele

Forcat e sigurisë në Mianmar vranë mbi 80 persona të tjerë në fundjavë, ndërsa situata po përshkallëzon me kundërshtarë të rinj që po ashtu nuk e pranojnë ardhjen me forcë të ushtrisë në pushtet.

Protestat dymujore kundër grushtit të shtetit në Mianmar kanë lënë më shumë se 600 të vrarë dhe po futin në lojët grupet e armatosura rebele.

Mbi 80 banorë raportohet se u ekzekutuan të premten në qytetin e Bagos, nga ushtarë që dëshmitarët thanë se përdornin armë të rënda dhe qëllonin mbi këdo që lëvizte.

Sipas ushtrisë, edhe ata humbën pjesëtarë nga radhët e tyre.

Një aleancë grupesh të armatosura etnike që i kanë dalë kundër ushtrisë mësohet se vranë mbi 10 policë brenda rajonit të tyre.

Javë më herët ishte ushtria që nisi bombardimin nga ajri të zonave ku operojnë rebelët.

Shumë banorë të këtyre zonave kufitare janë zhvendosur në xhungël bashkë me fëmijët, duke gërmuar gropa për t’u shpëtuar sulmeve.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdon t’i denoncojë masakrat nga ana e autoriteteve birmane.

Ambasadori i vendit në Kombet e Bashkuara bëri thirrje për sanksione kundër lidershipit ushtarak që refuzon ta dorëzojë pushtetin, por Kina mbetet kundër masave nga Këshilli i Sigurimit.

Ministria e Jashtme kineze tha këtë javë se Pekini e kupton se situata është shqetësuese.

“Kina dhe Mianmari janë një gjak, i lidhin malet e lumenjtë, dhe janë të prira të kalojnë si kohë të mira, edhe të vështira. Ne shpresojmë që të gjitha palët do të mund të gjejnë një mirëkuptim politik nëpërmjet dialogut, sa më shpejt,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

SHKARKO APP