Protesta në PD, mes të arrestuarve shtetas të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
34 persona janë të arrestuar për protestën që u mbajt të shtunën e 8 janarit në PD, ku 23 prej të cilëve kanë qëndruar jashtë godinës së selisë blu dhe 11 të tjerë në ambientet e brendshme.
”Euronews Albania”, shkruan se shtetasit kosovarë të arrestuar me mbiemër Dervishaj kanë deklaruar se nuk kanë qenë në protestë, por pranë një lokali në afërsi të selisë të PD. Megjithatë, raporti i shërbimit të policisë thotë se këta individë kanë qëlluar me sende të forta nga jashtë selinë blu. Në tjetër i arrestuar, nga Maqedonia e Veriut, Xhevair Georgev rezulton në dosjen e prokurorisë si i deportuar nga Belgjika për drogë.
Po sipas dosjes hetimore personat që kanë qenë brenda selisë dhe janë arrestuar si mbështetës së Bashës, si Vendim Demaj, Sokol Ndreu dhe Afrim Deda kanë deklaruar se janë përpjekur të mbrohen, por nga ana tjetër kanë mohuar të kenë dijeni mbi lëndët plasëse që u hodhën nga brenda në drejtim të protestuese.
Brenda godinës janë arrestuar magazinieri Arjan Mezini bashkë me dy persona të tjerë të identifikuar si Alban Peti dhe Stivi Luku. Ata kanë deklaruar se nuk lëviznin dot nga godina pasi kishin frikë. Ardian Myrto, një tjetër nga të arrestuarit, ka deklaruar se ka hedhur vetëm bidonë me ujë ndaj protestuesve. Në kërkesën e dërguar në gjykatë, prokuroria ka kërkuar masën detyrim paraqitje për 30 të arrestuar dhe arrest në shtëpi për vetëm 4 prej tyre.
Marrë nga /Euronews Albania/