Protesta nga studentët e Mjekësisë, nënkryetarja e Kuvendit Felaj: Mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese
Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj tha gjatë seancën plenare, se studentët e Mjekësisë mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ankesat që kanë, ndërsa shtoi se bojkoti i mësimit nga ana e tyre është tërësisht alogjik dhe humbje kohe.
“Seanca e sotme është një seancë për zgjedhësit tanë. Dita përkoi dhe me fillimin e vitit shkollor në arsimin e lartë, çka bashkoi shumë diskutime si ato për incentivimin e degëve të ndryshme, gjë që fatmirësisht e kemi bërë; mjekësia, veterineria dhe mësuesia mbështeten me pagesë nga shteti, sikundër studentët ekselentë dhe ato rishtas, por me rezultate të larta”, tha ajo.
Po ashtu Felaj theksoi se ndërkohë vijon diskutimi lidhur me detyrimin e studentëve të Mjekësisë për të dhënë shërbim në vend. “Nuk po hyj në thelbin e kësaj të fundit, pasi mendoj që është masë e duhur, proporcionale dhe detyrim i shtetit përkundrejt shëndetit publik, por nuk mund të rri pa thënë, që bojkotin e gjej krejt alogjik, një humbje e tmerrshme kohe e që s’kthehet dot më”, u shpreh ajo.