Protestë para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve
Sot është protesta e dytë që mbahet nga qytetarët dhe aktivistë të shoqërisë civile para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve. Edhe pse kushtet atmosferike nuk janë në krahun e tyre, shoqëria civile vijon betejën me çadra nën shiun e rrëmbyeshëm të Tiranës. Qytetarë të shumtë me çadra në duar janë mbledhur para Kryeministrisë për të kërkuar mos ngritjen e çmimeve si dhe uljen e atyre që janë ngritur, siç është çmimi i bukës.
Juristi Adriatik Lapaj, një nga personat që ka bërë thirrje për protestën, tha se një sukses të parë e kanë, pasi kryeministri Edi Rama lajmëroi se nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike për familjarët dhe bizneset e vogla. Po ashtu ai theksoi se do të jenë në sheshe deri sa të dëgjohen kërkesat e tyre.
”Kryeministri reflektoi për energjinë elektrike, por kjo nuk mjafton. Sot jemi dhe për çmimin e bukës, ushqimit të shportës, karburanteve, por edhe për të ngritur zërin për meritokraci, për drejtësi sociale dhe për të kërkuar që në këtë vend të marrë fund tranzicioni i stërzgjatur ku ndahen në dy kampe shqiptarët.
Çdo qytetar që e ndjen se duhet të protestojë, le ta bëjë atë. Misioni që duhet të kemi është që qytetarët të reagojnë për veten e tyre. Energjia elektrike nuk do të rritet për familjarët dhe bizneset. Sesa sukses do të ketë, nuk e di, por në dorë kam përpjekjen time të sinqertë. Qytetarët marrin këtë mësim të madh dhe politika t’i vendosë gishtin kokës”.
https://kohajone.com/punjonjes-ne-qeverine-rama-1-por-emigrova-qytetari-vjen-nga-italia-kemi-nje-brez-te-ri-pa-shprese/
https://kohajone.com/qytetaret-sfidojne-shiun-thirrje-para-kryeministrise-ulni-taksat-dhe-cmimet/