Protesta te Astiri, Lleshaj: Drejtuesit mos të fshihen pas grave

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar pas protestës që zhvilluan sot pasdite banorët e Unazës së re ku pjesë mori edhe opozita. “Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës. Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajos”.

Postimi i plotë

Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës. Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajos. Drejtuesit e PD duhet të dinë mirë një gjë: Policia e Shtetit nuk do të përballet kurrë me fëmijët e keqpërdorur politikisht. Në të njëjtën kohë, ajo nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit.

Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që të distancohen nga shkeljet e ligjit, që të mbajnë fëmijët larg politikës së rrugës dhe që të mos lejojnë keqpërdorimin e vetes për interesa politike!

E drejta e tyre nuk mund të gjendet kurrë tek bllokimi i arterieve kryesore të kryeqytetit, por vetëm te rruga institucionale. Iluzioni se problemet mund të zgjidhen përmes vetëgjyqësisë, që promovon PD, është i kotë dhe i dëmshëm për të gjithë. E vetmja rrugë e arsyeshme për të zgjidhur problemet është qasja institucionale. Institucionet janë plotësisht të gatshme dhe të përgatitura për të trajtuar në rrugë ligjore problemet e qytetarëve.

SHKARKO APP