Protesta te Liqeni, Policia kallëzon Strazimirin dhe 9 deputetë të PD

Policia e Tiranës ka kallëzuar sot penalisht pranë Prokurorit të Përgjithshëm 9 deputetë të PD-së, ndërkohë që deputeti demokrat Strazimiri, kallëzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

KALLËZIMI

Në datë 28 mars 2016, në ora 11:00, te Kodrat e Liqenit Artificial, në vendin ku është duke u ndërtuar “Këndi i lojërave” nga Bashkia Tiranë, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një protestë pa leje, për prishjen e rrethimit të objektit të objektit.

Pjesëmarrësit në këtë protestë u grumbulluan para hyrjes së kantierit në ndërtim dhe rreth orës 11:30,deputetët Flamur Noka, Genti Strazimiri, Genc Pollo, Albana Vokshi, Arben Ristani, Asllan Dogjani, Gert Bogdani, Edi Paloka, të shoqëruar nga protestues të tjerë (13 prej tyre të arrestuar ditën e djeshme në flagrancë për veprime të dhunshme), tentuan dhe çanë me forcë kordonin e Policisë Bashkiake, të Policisë së Shtetit me veprime të dhunshme, dokumentuar me prova filmike, raport shërbimi dhe dëshmi të tjera.

Nga dhuna e ushtruar nga deputetët dhe protestuesit, u dëmtuan dhe po marrin mjekim në spitalin e Traumës, 3 punonjëse të Policisë Bashkiake. Në vijim të veprimeve të dhunshme të kryera nga deputetët e subjektit politik Partia Demokratike, referuar pamjeve filmike rezulton se deputeti Gent Strazimiri gjatë kohës që ishte në protestë krahas veprimeve të dhunshme ndaj policisë, i dallohej në brez një armë zjarri (pistoletë).

Zoti Strazimiri ka qenë i pajisur me armë zjarri në 26.03.2009, kur ka qenë zv/ministër i Brendshëm. Por në zbatim të Ligjit nr. 74/2014 “Për armët”, duke filluar nga 26.02.2016, lejet dhe aktet e tjera administrative që japin të drejtën mbi armët, humbasin fuqinë juridike. Deputeti Strazimiri, nuk ka kryer asnjë veprim për dorëzimin e armës, megjithëse është njoftuar edhe me një shkresë nga Komisariati nr. 3, Tiranë.

Policia e Tiranës i ka referuar Prokurorit të Përgjithshëm kallëzim penal për 9 deputetë të subjektit politik Partia Demokratike, konktretisht:

– për deputetin Gent Strazimiri për veprat penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga nenet 262, 150, 235, 274 dhe 278 të Kodit Penal.

– për deputetin Flamur Noka për veprat penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Goditje për shkak të detyrës” parashikuar nga nenet 262, 150, 235, 274 dhe 237 të Kodit Penal.

– për deputetët Edi Paloka, Ridvan Bode, Asllan Dogjani, Gert Bogdani, Albana Vokshi, Genc Pollo, Arben Ristani, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Prishja e qetësisë publike” parashikuar nga nenet 262, 150, 235 dhe 274 të Kodit penal

SHKARKO APP