Protesta te Teatri Kombëtar, Rama: Ai duhet shembur, por atje po shkelen ligjet e karantinës
Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje për çështjen e Teatrit Kombëtar. Rama është shprehur në emisionin “Opinion” se ka 20 vite që është i bindur që teatri duhet të shembet.
Rama e ka quajtur të rrezikshme deklaratën e kreut të PD, Lulzim Basha, i cili gjatë ditës së sotme u bëri thirrje demokratëve dhe mbështetësve të opozitës që të mbrojnë teatrin.
Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar minorancë artistët dhe qytetarët që protestojnë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Teksa Blendi Fevziu i ka shfaqur në ekran Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, Rama tha se nuk sheh një aleancë por një grup njerëzish që kanë thyer rregullat duke u kthyer në rrezik. Ai tha se ata janë minorancë dhe kanë të drejtën e tyre të protestojnë por nuk mund t’i imponohen shumicës.
“Së pari ju më thatë që pas shpinës shoh një grup njerëzisht që kanë thyer të gjitha rregullat aktuale në kundërshtim me aktin normativ duke vënë në rrezik veten dhe njeri tjetrin dhe ata që mund të kenë kontakte më pas. Nuk shoh ndonjë aleancë. Nuk flas për persona por për atë që po ndodh pas shpinës suaj. Nuk ka qytetarë në barrikadë njerëzorë, nuk ka artistë dhe grusht aktorësh të bashkuar në një barrikadë njerëzore. Nuk është Ndrenika, ndriçim Xhepa, Nuk është Altin Basha që janë pjesa dërrmuese e komunitetit, nuk është më as alibia skandaloze e dhënies së pronës shtetërore tek një privat, ka rënë opsioni i PPP, ishte një tentativë e mirësjellshme për të ndërtuar një teatër. Gjithmonë ka një minorancë që kundërshton. Unë them që ata janë një pakicë shumë e vogël, legjitime në të drejtën e tyre që të jenë kundër, që të duan patjetër që karakatina e teatrit kombëtar ekzistues të qëndrojë aty post mortum të tyre edhe 2 mijë vjet. Po nuk mund të bëjnë asgjë për t’iu imponuar shumicës. Shumica nuk është shumica e pushtetit ekzekutiv por i komunitetit teatror”, deklaroi Rama.
A e dini se kreu i PD ka deklaruar që do të kalojë natën së bashku me “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit”, Basha iu kaparalamruar që nuk duhet të guxoni të shembni teatrin kombëtar?
Për mua është një temë e ezauruar e cila ka shumë vite, 20 vite. Qëndrimi im është i njohur prej 20 vitesh. Nuk besoj se ka pasur proces më të gjatë në historinë e këtij vendi në debat në distancë me këtë temë. Ky është një atribut ekskluziv i pushtetit ekzekutiv në qeveri dhe në bashki dhe kthimi i një teme me karakter urbanistik dhe zhvillimor në një temë politike tregon vetëm shterpësi dhe asgjë tjetër.
Ju vazhdoni të jeni i bindur që teatri duhet shembur?
Unë nuk kam qenë asnjëherë me bindje tjetër prej 20 vitesh. Nuk ka asnjë patate të nxehtë ka vetëm një proces që zhvillohet sipas ligjit dhe natyrshmërisë së ndarjes së punëve. Bashkia e Tiranës është në të njëjtën kohë dhe agjencia që do të ekzekutoi të gjithë projektin. Ne nuk i kemi thënë merre prish, por merre ndërtoje. Vija e zjarrit është në spital dhe lufta është për të mbrojtur shëndetin dhe do të thotë një thirrje e tillë për të marrë në qafë njerëz dhe për të bërë gjeste patetike dhe që nuk kanë asnjë lidhje me asnjë proces ligjor apo demokratik.