Protestat “tronditin” Vuçiç, deputeti serb: Zgjedhjet i vodhi, me Kosovën duhet dialog

Deputeti opozitar serb Djordje Miketiç, flet rreth rezultatit të zgjedhjeve të së dielës në Serbi, të cilin opozita e kundërshton si të manipuluar, teksa edhe shumë institucione ndërkombëtare kanë renditur parregullsi të mëdha.

“Nuk e dimë se cfarë rezultati kemi sepse nuk kemi zgjedhje të lira. Koalicioni jonë ka marrë 24-25%, por në Beograd arrijmë deri në 35% çka është dhe rezultati më i mirë. Si gjithmonë kemi parregullsi. Tani kemi zgjedhje të vjedhura, demokraci të vjedhur. Njerëz nga pjesë të tjera të Serbisë erdhën dhe votuan në Beograd, po ashtu erdhën nga Bosnja njerëz të organizuar nga pushteti. Kemi pamje filmike, prova të manipulimeve. Që një muaj më parë nisëm të denonconim listën e votuesve që nuk ekzistonin. Mbi 40 mijë qytetarë kanë votuar në Beograd në mënyrë të paligjshme. Ne duam anulimin e zgjedhjeve të së dielës, njerëzit janë të zemëruar. Kjo është periudha më e keqe që po kalon vendi”, tha Miketiç në ”A2cnn”.

Në lidhje me Kosovën dhe paralajmërimeve se ngjarje si ajo e Banjskës mund të përsëriten, deputeti serb u shpreh se vetëm dialogu është ai që përmirëson jetesën e banorëve të dy vendeve dhe ul tensionet.

“Shpresoj që të mos ndodh një ngjarje e ngjashme si ajo e Banjskës apo në zona të tjera. Ne duhet të kemi dialog dhe vetëm përmes tij mund të jetojmë bashkë, të udhëtojmë bashkë. Na duhet një zgjidhje paqësore dhe dialog”, u shpreh Miketiç.

SHKARKO APP