Protestë në 7 mars, Vetëvendosja: Shahini të ndërhyjë urgjent, ka dhunë në shkolla
Lëvizja për vetëvendosje në shqipëri kërkon reagimin urgjent të ministrisë së arsimit.Përmes një proteste janë denoncuar rastet e dhunës në shkolla si dhe mungesa e reflektimit prej institucioneve të arsimit
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka uruar këtë të shtunë nga Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë, të gjithë mësuesit për 7-marsin duke thënë se rezultatet në arsim janë përmirësuar falë punës së tyre.
Por për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë pikërisht institucionet arsimore ku po ndodhin krimet e abuzimet më të mëdha.
“Vetëm para pak kohësh ishim dëshmitar të një incizimi ku profesori i gjimnazit ngacmoi seksualisht nxënësen në formë shantazhi dhe kërcënimi. Vetëm pak ditë kanë kaluar nga përdhunimi i një gjimnazisteje nga dy bashkëmoshatarët e vetë. Ndërkohë që 4 bashkëmoshatarë të tjerë janë akuzuar për ngacmim seksual përmes shantazhit me video. Vitin e kaluar patëm një rast të ngjashëm në një tjetër qytet, ku sërish, përmes shantazhit me video një nxënëse u përdhunua nga bashkëmoshatarë gjimnazistë. Ajo që është më e rëndë është se ky fakt erdhi nga stafi por nuk ishte bërë denoncimi. Denoncimin e bëri pastruesja e shkollës.”
Përfaqësuesit e vetëvendosjes thonë se Ministria e Arsimit duhet të kishte emrin Ministria e Abuzimit.
“Ministria duhet të vendosë që me një ndërhyrje gjithëpërfshirëse të gjithë institucionale të bëhet ashtu siç e ka emrin, Ministria e Arsimit, dhe jo menaxhere që administron krizën në dhunën mbi vajzat sikur ta kishte emrin Ministria e Abuzimit.”
Sipas tyre ministria e arsimit duhet të nisë një ndërhyrje gjithëpërfshirëse ku të përfshihen të gjithë institucionet e nevojshme.