Protestë në Tiranë për vrasjen barbare të 22-vjeçares nga Kenia. Nëna e saj zbardh detaje tronditëse

Joy Aoko u dhunua barbarisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën “Pandeli Evangjeli” në Tiranë. Një ngjarje pa autor para drejtësisë, ndaj dhe sot do të mbahet një protestë para Prokurorisë së Tiranës. Protesta do të zhvillohet në orën 17:00 dhe do të kërkohet drejtësi për vrasjen barbare të 22-vjeçares nga Kenia, e cila kishe ardhur për të punuar në një kazino në Tiranë. Por rrethanat si ka ndodhur ngjarja ende janë mister.

Në një apel në rrjetet sociale, shoqja e saj, e cila mbërriti me të në Tiranë thotë se ai person që e dhunoi është i lirë dhe nesër mund të dhunojë një tjetër vajzë. Ajo bën thirrje që të bashkohemi për të kërkuar drejtësi në emër të familjes e miqve.

“Asaj iu dha një mundësi që të vinte në Shqipëri dhe ajo më tha, mami është një mundësi për të ndjekur një trajnim në një kazino në Shqipëri dhe po më ofrojnë edhe një pagë për këtë. Çdo prind gëzohet kur shikon fëmijën që po gjen një punë që i pëlqen dhe unë nuk hezitova aspak. Pse jo, nga informacioni që kam Shqipëria është vend i rregullt dhe vajza ime do të shkonte në Shqipëri për të mësuar mbi lojërat e kazinosë e më pas do të punësohej. I dhashë miratimin tim, Xhoi erdhi në Shqipëri në muajin shkurt, ishte vetëm 21 vjeçe. Të gjitha hapat e punësimit dhe procedurat u kryen nga kompania.

Unë flisja shumë me Joy-in dhe të shtunën më datë 13 gusht rreth orës 03:00 Xhoi më mori në telefon dhe më pas folëm në Whatsapp. Ajo më dërgoi mesazh në 03:25, ishte mesazhi i fundit prej saj. Joy kishte qenë në punë të premten në mbrëmje dhe ishte kthyer në shtëpi rreth orës 03:00 të mëngjesit. Ajo më shkroi, më tha se ishte e lodhur dhe më pyeti se çfarë po bëja. Më tha që do të bënte një dush dhe do të shtrihej për të fjetur. Më tha që do ngrohte ushqimin për të ngrënë.

Unë vazhdova t’i shkruaj dhe ajo nuk më ktheu përgjigje. Unë nuk u shqetësova të shtunën. I urova natën e mirë me mendimin se do të ishte shtrirë për të fjetur. Gjatë ditës kur u zgjova rreth orës 11:00 të paradites ajo nuk më kishte kthyer përgjigje. Sakaq fillova të shqetësohem. I dërgova sërish mesazh për ta pyetur nëse ishte zgjuar, por nuk më ktheu përgjigje. Erdhi e diela, por ende asnjë komunikim. Instinkti i nënës. Ndjeva se diçka e keqe kishte ndodhur”, tregon nëna e 22-vjeçares.

SHKARKO APP