Protestë nga policët për kushtet në burgje: Probleme me pagat, s’ka siguri shëndeti në punë dhe mungon trajtimi ushqimor
Komandimet e padrejta në burgun e Reçit, Malësi e Madhe si dhe për kushtet e vështira në vendin e punës, bënë që policët të dilnin në një protestë. Pas denoncimit nga Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë, dikasteri i burgjeve thotë se të komanduarit do të rikthehen të martën në shërbim në Lezhë.
Policët do të mblidhen për të denoncuar një sërë çështjesh që kalon çdo ditë Policia e Burgjeve. Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë, thotë që për realizimin e kërkesave janë të motivuar që ta përcjellin denoncimin e padrejtësisë në çdo media e institucion ndërkombëtar.
“Sot denoncojmë mungesën e etikës në komunikim në mes epror vartës. Punonjësi i burgjeve është administrate publike, jo rekrut ushtrie. Denoncojmë problemet me pagat që ndodh nëpër burgje, ku asnjëra pagë nuk përputhet sipas bazës ligjore në fuqi e ditëve reale të punës që kryen punonjësi. Pa harruar që mungesat në organike janë alarmante në çdo burg të vendit dhe nëse vazhdon kjo sjellje shtetërore me demotivimin e stafit, problemet vetëm do agravohen”.