Protestë për vdekjen e 5-vjeçares: “Mos u lëndoftë njeri si ne”
Në ditën e parë të kopshtit, të vegjëlit u shoqëruan nga gjyshërit por që gjyshi dhe gjyshja e 5-vjeçares që ndërroi jetë si pasojë e një aksidenti rrugor në Kurjan të Bashkisë Roskovec, dolën në protestë para Prokurorisë së Fierit duke kërkuar drejtësi.
Azmi dhe Lumturi Metohu, apelojnë prokurorinë e Fierit të zbardhë të vërtetën. Ata thonë se kanë kërkuar ekspertizën rrugore pasi dyshojnë se janë manipuluar faktet. “Kërkojmë drejtësi përpara prokurorisë Fier.Nuk më ka ardhur shteti për asgjë. Kërkojmë prokurorin, e kemi takuar dhe kemi kërkuar sqarime. Na i ka dhënë. Kërkuam ekspertizën rrugore se kemi dyshime. Më shkon mendja se na e kanë vrarë me qëllim derisa ka qenë me 20 km/h shpejtësi.E nxirrja vetë nga burgu, jo prokuroria që s’ka ardhur në vendngjarje”,-tha gjyshja.
Para kamerave, ata kanë pohuar se i kanë dërguar letër kryeministrit Rama, kryeprokurores Arta Marku por që ende nuk kanë marrë përgjigje. “Vetting-u jonë janë mediat. Sot (dje) është dita e parë e shkollës. Ndaj kam ardhur në shenjë proteste sot (dje). Mos u lëndofshin prindër, gjyshër, fëmijë, siç u lëndova unë”.
Gjyshi ka shtruar pyetjen se pse mbrohet autori i ngjarjes tragjike. “Kam një pyetje të thjeshtë. Pse mbrohet vrasësi i fëmijës? Kush fshihet? Pse e mbron prokuroria? Me aq sa kemi parë dosjen, janë fshehur fotografi. Goditja e makinës. Makina ka dalë nga policia pa e parë ne. Autori është lënë i lirë derisa i ka dalë pija. Sot është protesta e parë. Do të vazhdojmë. U bëj thirrje qytetarëve të luftojmë korrupsionin. Të vejë drejtësia në vend”.
Lumturia thotë se e ka parë vetë aksidentin dhe se makina që përplasi vogëlueshen ka qenë me shpejtësi të madhe. “Ngjarjen e kam parë vetë. Kemi bërë edhe prova. Makina ishte me shpejtësi marramendëse. U bë zhurmë e madhe. Nuk kemi sqarimet që duam. Avokati i ka kërkuar informacion dhe i është dhënë jo i saktë. Kam qenë dhe më parë ketu. Duam riekspertim. E kemi kërkuar që në 24 korrik. Duam drejësi, vetëm drejtësi”.
KOHA JONË SONDAZH

