Protestuesi i Rrugës së Kombit, thirrje Ramës: Eja diskuto me ne, se prapë do të ngrihemi kundër taksës!
Lulzim Popa, një prej protestuesve kundër taksës në Rrugën e Kombit dhe që u arrestua nga Policia, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama nga podiumi i i Kuvendit Kombëtar të PD, që të vijë e të diskutojë me qytetarët para se ta vendosë sërish taksën, pasi në të kundërt ata përsëri do të ngrihen në protestë.
“Ne dolëm me të gjithë kuksianët që të protestojmë kundër taksës së Rrugës së Kombit, – tha Popa. – Ne kuksianët e kemi pritur me padurim që të hapet ajo rrugë, që quhet Rruga e Kombit. Pse? Të lidhet veriu me jugun e jugu me veriun, Kosova me Shqipërinë dhe Shqipëria me Kosovën dhe jo të na vihet një taksë që ne nuk jemi në gjendje ta përballojmë.
Me gjithë mend që shteti ka nevojë edhe për taksa, por ama duhet ta dije dhe sa mundësi kemi në ta përballojmë si shqiptarë, sa jemi të aftë ta përballojmë. Dolëm aty, protestuam, kërkuam të drejtat tona e pavarësisht se u provokuam nga forcat policore, ikëm në shtëpi.
Në ora 12 të natës, 2, 3….shqyen dyert ata me maska, me automatikë. Isha me djalin dhe nusen e djalit…Hapën dyert vijnë brenda sikur të isha kriminel dhe jo baba i katër fëmijëve. U çudita: a jam në shtëpinë time a ku jam?! Këtë e kam shprehur dhe në sallën e gjyqit: Edhe Milosheviçi nuk ua ka bërë shqiptarëve në këtë lloj forme.
Edhe sot kur po vija nga Kukësi, shikoj se po bëheshin punime prapë aty.
I bëj thirrje kryeministrit. Janë katër vëllezër kuksianë…të lirohen në vend, janë bij nënash dhe babash. Janë me fëmijë, janë për një qëllim…
Dhe kur po vija sot nga Kukësi, për këtu, po shikoja se po bëhen prapë punime aty. Të vijë e të ulet aty me ne, të diskutojë aty me ne se prapë ne kemi me u ngrit, kundër kësaj takse!”
KOHA JONË SONDAZH

