Provimet e Maturës/12 nxënës në klasa, ja çfarë duhet të kenë me vete

Pandemia e Covid-19, trazoi gjithçka dhe krijoi një realitet të ri. Provimet e Maturës do të mbahen por me shumë rregulla. Virusi jo vetëm do të mbajë larg nxënësit nga njëri-tjetri, por çdo maturant do të jetë me maskë, doreza dhe dezinfektant gjatë dy orëve provim. Të gjitha ambientet e shkollave do të vihen në funksion të maturës shtetërore, pas dezinfektimit numri i nxënësve në klasa nuk do të jetë më shumë se 12.

”Ka një protokoll të përcaktuar dhe shumë të qartë i cili është drejt finalizimit të Ministrisë. Distanca e nxënësve është dy metra. Nuk do të ketë më shumë se 10-12 nxënës. Do të shfrytëzohen të gjitha klasat për zhvillimin e provimit. Ky është një plan që do bëhet publik shumë shpejt. Ruajtja e shëndetit të maturantëve është primare ndaj masat do te ndiqen në mënyrë rigoroze”, thotë Rezana Vrapi, drejtore e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Esetë dhe ushtrimet me zhvillim që marrin më shumë kohë, janë hequr nga provimi. Vrapi tregon se çdo test do të ketë 60 pyetje dhe vetëm me alternativa. Ndërsa korrigjimi do të jetë elektronik, ndaj maturantët duhet të bëjnë kujdes me hedhjen e të dhënave.

”Korrigjimi do të bëhet online. Ku nxënësit të gjitha përgjigjet do t’i hedhin në një fletë të vetme. Ku vetëm ajo do të kalojë në skaner për korrigjim. Penalitetet do të jenë njësoj si dhe vite më parë. Nëse kapen me kopje, me telefon apo duke biseduar, u hiqet e drejta për të dhënë provimin për 1 vit”. E vetmja lehtësi për ta është mos përfshirja në provim e temave të zhvilluara gjatë kohës së epidemisë. Provimi i parë i maturës nis në 8 qershor me gjuhën shqipe dhe letërsinë dhe mbyllet në 18 me lëndën me zgjedhje.

Shkollat do të hapen më 18 maj deri më 5 qershor vetëm për maturantët që të përgatiten për provimet e fundit, të cilat do të mbahen më 8-18 qershor, ndërsa të gjithë të tjerë do të vijojnë mësimin online. Shkollat dhe Universitetet në Shqipëri do të rihapen në shtator ndërsa prej datës 9 mars të këtij viti vijojnë të jenë të mbyllura për shkak të situatë së shkaktuar nga pandemia botërore, Covid-19. “Kemi vendosur që shkollën ta hapim vetëm për maturantët për disa javë”,-ka thënë më herët Ministrja e Arsimit, Besa Shahini.

Provimet për nxënësit e klasave të 5-ta dhe ato të lirimit, janë anuluar. “Vendimin e marrë së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe kryeministrin për mbylljen e vitit shkollor. Ky vendim është marrë duke marrë vlerësimin e Task Forcës kundër koronavirusit dhe modelet e vendeve të tjera. Ky vit shkollor do të mbyllet ashtu si kemi planifikuar me udhëzimet në qershor 2020 për të gjithë nxënësit. Provimet e maturës shtetërore do të mbahen mes datave 8 dhe 18 qershor. Kjo na jep kohë të përgatisim diplomat për maturantët që duan të studiojnë jashtë. Provimet e klasës së 5-të dhe të 9-të do të anulohen. Mësimi online do të vijojë për të gjithë të tjerët dhe për 4 javë”.

SHKARKO APP