Provimet e maturës ndryshojnë, Covid-19 dhe celulari ju çojnë për vjeshtë
Rreth 34 mijë maturantë, për pak ditë do t’i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore. Këtë vit tezat do të përfshijnë përveç pyetjeve me alternativa, edhe me zhvillim. ”Pyetjet nuk fokusohen në aftësi të niveleve të riprodhimit, që lidhen me riprodhimin apo me mbajtjen mend përmendësh të fakteve, të informacionit etj., por mbi mënyrën se si nxënësit janë në gjendje ti përdorin këto aftësi në situata të jetës së zakonshme të përditshme, sigurisht të ngjashme me situatave të mësuara gjatë procesit mësimor”,-tha drejtoresha e QSHA Rezana Vrapi.
Po ashtu mësohet se tezat e hartuara nga specialistë të QSHA janë gati dhe në total përmbajnë 60 pikë. Koha e vënë në dispozicion është 2 orë e 30 minuta dhe çdo maturant për tu konsideruar kalues duhet të marrë 15 pikë.
Për shkak të pandemisë, do të duhet që provimet të zhvillohen nën masat anti-covid. Vrapi shpjegon se çdo të ndodhë nëse ditën e provimit maturanti rezulton i infektuar me Covid-19. ”Të kenë kujdes se nëse ata do të infektohen në këtë periudhë për fat të keq ata nuk do të lejohen të hyjnë në mjedisin e provimit dhe kjo do ti çonte në sezonin e dytë. Kështu që në këto pak ditë që kanë mbetur të tregohen shumë të kujdesshëm me shëndetin e tyre”.
Si çdo vit, mbajtja e telefonave celularë ditën e provimit i penalizon maturantët. Provimi i parë është më datë 3 qershor me atë të Gjuhës së Huaj, për të vazhduar më datë 7 me Gjuhën-Shqipe, më 11 me Matematikën, duke e përmbyllur me Lëndën me zgjedhje më 15 qershor.