PS dhe PD miratojnë marrëveshjet në fushën e sigurisë, Koçi flet për ekstradimet nga Emiratet Arabe

Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi sot me dakortësi të plotë mes mazhorancës dhe opozitës dy marrëveshje ndërkombëtare në fushën e sigurisë. Konkretisht u miratua marrëveshja për ratifikimin e konventës ndërkombëtare për shtypjen e akteve të terrorizmit bërthamor dhe Ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në luftën kundër krimit me qeverinë e Mbretërisë së Arabisë Saudite. Marrëveshjet u prezantuan në Komisionin e Ligjeve nga Zëvendës-ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. Lidhur me ratifikimin e konventës ndërkombëtare për shtypjen e akteve të terrorizmit bërthamor, Lamallari bëri me dije se “kjo konventë është nënshkruar nga Shqipëria në 23 nëntor 2005”.

“Të gjitha aktet që parashikohen në konventë, duhet të transpozohen në ligjin vendas. Në kuadër të procesit screening, ne rishikuam kuadrin ligjor që Shqipëria kishte nënshkruar në përmbushje të detyrimeve karshi Kombeve të Bashkuara. Prandaj, ne vendosëm të procedojmë me këtë nisëm të qeverisë shqiptare për ta sjell në komision e për të vijuar me ratifikimin e kësaj konvente”,-bëri me dije Lamallari.

Sa i takon ratifikimit të marrëveshjes me Mbretërinë e Arabisë Saudite, zv ministri Lamallari tha se ajo do të ndihmojë vendin tonë në luftën ndaj krimit të organizuar. “U nënshkrua në shkurt të këtij viti nga Ministri i Brendshëm dhe homologu i Mbretërisë së Arabisë Saudite. Marrëveshja rrit bashkëpunimin bilateral, në kuadër të shkëmbimit të informacionit mes dy vendeve”,-tha Lamallari.

“Marrëveshja ka fokusin tek personat e dënuar apo arrestuar për ato vepra penale që përmenden në marrëveshje, krimi organizuar dhe terrorizmi. Konkretisht, shtoi Lamallari, janë 18 vepra penale në total që saktësohen tek neni 1, i marrëveshjes”.

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi i vlerësoi si mjaft të rëndësishme të dyja marrëveshet, por theksin e vuri tek marrëveshja me Arabinë Saudite, ku solli në vëmendje çështjen eekstradimeve të elementëve kriminal që strehohen në vendet arabe. “Ratifikimi i marrëveshjes për aktet e terrorizmit bërthamor është mjaft i rëndësishëm. Edhe marrëveshja me Arabinë Saudite është pozitive dhe nuk cënohen të drejtat e njeriut. Edhe pse Arabia ka ndryshime thelbësore me Shqipërinë, sa i takon kuptimit të të drejtave të njeriut”, tha Koçi.

“Kjo marrëveshje hap po ashtu edhe mundësinë e bashkëpunimit për luftën ndaj krimit. Shpesh Emiratet e Bashkuara Arabe kthehen në strehim për kokat e krimit, dhe pikërisht me Emiratet Arabe duhet një marrëveshje sa më efektive, që krerët e grupeve kriminale që strehohen atje, të ekstradohen drejt Shqipërisë”,-theksoi Koçi.

SHKARKO APP