PS dhe PD votuan për rritjen e pagave të deputetëve dhe ministrave, Gjylameti: Duhet të ndryshojë perceptimi për politikën

Komisioni i Ekonomisë miratoi këtë të martë projektligjin e qeverisë për rritjen e pagave të të gjithë administratës shtetërore, përfshirë ministrat dhe deputetët. Këta të fundit, do të marrin rritje page me koeficient 0.73, pasi të ketë përfunduar e gjithë reforma vitin e ardhshëm.

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti e njëkohësisht nënkryetare e komisionit të Ekonomisë, tha se u zbatua ligji për pagat, në mënyrë që të shmanget korrupsioni dhe të ketë shërbime cilësore për qytetarët.

”Ky ishte momenti i parë që theu atë që është hierarkia e pagave. Në Shqipëri funksionon me ligj, ku Presidenti është paga më e lartë dhe kushdo tjetër që është në administratën publike apo me funksione në institucionet kushtetuese i referohet pagës së Presidentit. Në reformën e pagave, rritet paga e Presidentit dhe gjithë pjesës tjetër, përveç dy elementëve ministrat dhe deputetët. Për të arritur që të kemi një shpërblim për punën, por nga ana tjetër të mos kemi thyerje të hierarkisë së pagave sot patëm ato propozime nga kolegët e opozitës. Besoj se ju e keni përcjellë arsyen e këtij vendimi që ka të bëjë me shtyrjen e afatit për rritjen e pagave të ministrave apo deputetëve. Sot kemi të bëjmë me një nga vendimet më të rëndësishme që ka marrë qeveria shqiptarë në vazhdën e vendimeve të rritjes së pagave”,-tha deputetja në ”Tv Klan”.

Ky vendim sipas saj vjen edhe për të “thithur” sa më shumë punonjës drejt sektorit shtetëror. Kurse e pyetur nëse ka pasur një marrëveshje të fshehtë mes deputetëve për këtë propozim, deputetja e mohoi.

SHKARKO APP