PS këmbëngul, Shameti: Avokatët nuk mund të penalizohen, ligji me “OK” të Euralius
Drita jeshile e PS-së në Komisionin e Ligjeve për të djegurit e Vettingut që mund të bëhen avokatë ka shkaktuar debatin e radhës mes shumicës dhe opozitës.
Edhe pse më parë e kundërshtuan, socialistët kanë ndryshuar qëndrim duke u dhënë një tjetër shans gjyqtarëve dhe prokurorëve që përjashtohen nga sistemi i drejtësisë nga procesi i Vettingut.
Relatori Adnor Shameti i ftuar në studion e emisionit “45 MINUTA” në Report Tv deklaroi se opozita (LSI, pasi PD nuk ishte në komision) e kundërshton, por neni i projektligjit ka marrë miratimin e ndërkombëtarëve.
“Ligji ka miratimin e EURALIUS, por edhe neni 13 i ligjit për ushtrimin e profesionit të avokatit dhe fitimin e titullit është i dakordësuar dhe e kemi kaluar në frymën që ndërkombëtarët kishin insistuar. Gjyqtarët dhe prokurorët mund të dështojnë në vetting, por nuk mund të shkelin Kushtetutën duke i përjashtuar, i kemi tejkaluar sentimentalizmat. Deputetët e PD nuk ishin të pranishëm. LSI ka qenë kundër këtij projektligji, në parim u votua kundër. Pastaj varet nga klientët nëse duan një avokat të pastër, apo jo, pasi është profesion i vetërregulluar”- theksoi Shameti.
Deputeti i PS nuk është kundër që edhe avokatët të kalojnë Vettingun.
“Është profesion i vetërregulluar, ligji i vettingut nuk ka asgjë të keqe. Nuk e kemi diskutuar, nuk është shtruar, ne e kemi kaluar në këtë gjuhë, por në vetvete jam pro vettingut edhe për avokatët, që janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Jam që të bëhet vettingu edhe për politikanët”- tha deputeti socialist.
Sot para Vettingut doli kryeprokurorja Arta Marku, e cila pritet që ta kalojë, pasi nuk janë konstatuar probleme me pasurinë, por çfarë ndodh sipas Shametit, nëse nuk konfirmohet?
“Ligji është i qartë, do të zbatohet e gjithë procedura që bëmë në rastin e prokurorit të përkohshëm, do të zgjidhet një tjetër”- u shpreh deputeti Adnor Shameti.
KOHA JONË SONDAZH

