PS kërkon të rritet mosha e shoferëve të autobusëve dhe kamionëve
Pas ndryshimit të kodit rrugor duke ashpërsuar gjobat për tejkalimin e shpejtësisë dhe përdorimin e alkoolit gjatë drejtimit të mjeteve, grupi parlamentar i PS-së propozon ndryshime të tjera ligjore përmes disa amendamenteve dërguar Kuvendit duke kërkuar rritjen e kufirit të moshës me 5 vjet për drejtimin e mjeteve për transportin publik.
Aktualisht kodi rrugor lejon shoferët deri në moshën 65-vjeç të drejtojnë autobusë apo kamionë e mjete të caktuara për transportin e njerëzve, por propozohet nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së që kjo pikë të shfuqizohet.
Për shqiptarët mbi 70-vjeç leja e drejtimit për vetura do të jetë e vlefshme pas dorëzimit të një certifikate mjekësore që vërteton se janë të aftë fizikisht e mendërisht për të drejtuar mjetin.
Po ashtu kërkohet që të shtohen kufizimet për drejtuesit e motomjeteve, ku shoferët e rinj brenda 3 viteve pas marrjes së lejedrejtimit të kategorive A dhe B nuk duhet t’ju lejohet tejkalimi i shpejtësisë prej 80 km/orë në autostrada si dhe 70 km/ orë në rrugët interurbane kryesore.