“PS nuk merr më shumë se 60 mandate”, Nesho: Rama po përgatitet për në opozitë
Në një intervistë për gazetaren Beti Njuma, në RTV Ora, ish ambasadori i Shqipërisë në OKB Agim Nesho, ka komentuar listat e kandidatëve për deputetë, prezantuar mbrëmjen e djeshme nga PS dhe PD.
Sipas diplomatit, PD do të jetë fituese në zgjedhjet e 25 Prillit dhe sipas tij, me një diferencë të madhe me mazhorancën aktuale.
Teksa u ndal te listat e kandidatëve, Nesho u shpreh se prezantimi i PS-së ishte thjesht një show mediatik dhe përgatitje për dalje në opozitë.
“Pati një diferencë mes dy listave. Duket që lista e PD-së do të jetë lista fituese. Për arsye se, vetë zoti Rama në paraqitjen e kësaj liste, më tepër krijoi një show mediatik se sa krijoi një ekip që mund të jetë vërtetë fitues. Pse e them këtë?
Së pari, ai që nga shtatori dhe në vazhdimësi tha se nuk do të bëj ndryshime në qeveri, nuk do bëjë ndryshime në Kryesinë e partisë, ne do të vazhdojmë si një ekip. Doli tani që duhej ti bënte këto ndryshime dhe këto ndryshime ishin shumë të thella. Në vazhdimësinë e asaj që ai përgatitet për në opozitë dhe një opozitë që nuk i di numrat e caktuar që mund ta fajësojë brenda partisë për mosfitore dhe për gjithë dështimet gjatë këtyre 8 vjetëve. Në këtë kuptim ishte një paraqitje me figura të reja, të cilat nuk janë impresive. Kjo tregon edhe karakterin e vendimmarrjes së PS-së“, u shpreh ndër të tjera Agim Nesho.
Ish-ambasadori bëri edhe një parashikim sa i përket rezultatit të zgjedhjeve teksa u shpreh se Partia Socialiste nuk merr më shumë se 60 mandate.