PS nuk po refuzon vetëm opozitën, por edhe SHBA-BE. Kërkesa e PD-LSI u hartua në koordinim me ndërkombëtarët

Përfaqësuesi i PS në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri refuzoi sot që t’i dërgonte bashkë me opozitën OSBE/ODHIR-it një listë më pyetje mbi draftin e mazhorancës për hapjes së listave. Gjiknuri bojkotoi mbledhjen dhe tha se nuk firmoste kërkesa që vinin nga opozita reale. Ndërkohë kërkesat e hartuara nga PD dhe LSI për zgjidhjen e konfliktit për ndryshimin e njëanshëm të rregullave të lojës nga qeveria, janë hartuar në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

Përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi deklaroi sot për mediat se qëndrimi i opozitës është i qartë për mos ndryshimin e rregullave të lojës, 6 muaj para zgjedhjeve.

Kërkesa e opozitës së bashkuar për OSBE/ODIHR është përgatitur në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe me mbështetjen e tyre. Në lidhje me koalicionet, opozita ka për draft Kodin Zgjedhor ekzistues. Maxhoranca po e ndryshon, në shkelje të standardeve ndërkombëtare”,- deklaroi Oerd Bylykbashi.

Dokumenti i hedhur poshtë sot nga PS nuk është një refuzim që i bëhet vetëm PD dhe LSI-së, por një bojkot i qeverisë ndaj ndërkombëtarëve dhe ambasadorëve që ndërhynë për arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit.

Pikat kryesore të kërkesës së PD dhe LSI për OSBE/ODIHR:

Marrëveshja e 14 Janarit 2020 parashikon që partitë në Këshillin Politik të kërkojnë konsensus për çështjet e reformës zgjedhore dhe në rast se kjo nuk është e mundur, palët do të kërkojnë mendimin e ekspertëve të OSBE / ODIHR. Bazuar në këtë marrëveshje, ne kërkojmë mendimin dhe ndihmën e ekspertëve tuaj për çështjet e mëposhtme:

  1. A janë dispozitat në fuqi të Kodit Zgjedhor në lidhje me mekanizmin e koalicioneve zgjedhore dhe formulën përkatëse për ndarjen e mandateve në përputhje me standardet ndërkombëtare?
  2. A e pengon mekanizmi në fuqi i koalicioneve zgjedhore dhe formula përkatëse për ndarjen e mandateve, futjen e listave të hapura? Në rast se legjislacioni miraton listat e hapura dhe mekanizmi ekzistues i koalicioneve zgjedhore si dhe formula e përkatëse për ndarjen e mandateve për koalicionet mbeten kështu siç janë aktualisht në fuqi, a do të ishte legjislacioni përkatës shqiptar në përputhje me angazhimet e OSBE-së?
  3. A mund njëra palë të ndryshojë rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore, pasi ka filluar procesi zgjedhor, dhe vetëm 6 muaj para datës së zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhorë përpara zgjedhjeve, për cilësinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve?
  4. Nëse rregullat ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë afër zgjedhjeve për t’i dhënë përparësi partisë që ka bërë ndryshimet, a mund të prishin apo të ndikojnë ndryshime të tilla në parimet e stabilitetit të ligjit, sigurinë ligjore dhe fushën e barabartë të lojës, të cilat janë thelbësore për të respektuar angazhimet e OSBE-së për zgjedhje demokratike?
  5. Duke pasur parasysh pozicionet e ndryshme, cila do të ishte një zgjidhje e pranueshme për të dy palët, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera evropiane për zgjedhjet demokratike?  

Lexoni edhe…

 

SHKARKO APP