PS-PD dalin ”pro” marrëveshjes për pensionet me Italinë. Përfitojnë rreth 500 mijë emigrantë shqiptare

500 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë në Itali dhe rreth 4 mijë italianë me leje qëndrimi në vendin tonë do të përfitojnë nga skema e pensioneve, duke mos humbur asnjë ditë kontribute, pavarësisht vendit ku kanë punuar. Parlamenti pritet të ndezë dritën jeshile, ku sikundër mazhoranca edhe opozita ka deklaruar votën “pro” kësaj marrëveshje.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe shpjegoi edhe objektin e kësaj marrëveshje. “Janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë, sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësinë.

Përfitimet nga skema italiane përfshijnë sigurimin e përgjithshëm të detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar; trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar në sektor të ndryshëm dhe trajtimin e ndarë të këtij sigurimi të përgjithshëm të detyruar; sigurimin për sëmundjet ku përfshihen edhe tuberkulozi dhe barrëlindja; sigurimi i papunësisë dhe skemat e posaçme zëvendësuese dhe të veçanta të sigurimit të krijuara nga kategori të caktuara punonjësish”.

Marrëveshja për njohjen e pensioneve parashikon që periudha e sigurimit e realizuar në njërin shtet të njihet edhe nga shteti tjetër, me kusht që të mos mbivendosen. Çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar kudo ku ai ndodhet.

Që prej vitit 2005, Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, mes të cilave me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë.

SHKARKO APP