PS rrëzon dekretin për lojërat e fatit, reagon Presidenca: Nuk u njoftuam për mbledhjen
Socialistët në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, pa praninë e opozitës dhe pa asnjë përfaqësues të Presidencës në sallë, rrëzuan sot Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10850, datë 30.07.2018, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”.
Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi i pyetur nga “Panorama Online” për arsyen e mosparaqitjes së institucionit të Presidentit në seancën e sotme të zhvilluar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ku u shqyrtua Dekreti i Presidentit nr.10850, datë 30.07.2018, “Për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat’, i ndryshuar”, me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji që lehtëson barrën fiskale të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushat e lojrave të fatit, deklaroi se:
Institucioni i Presidentit nuk ka pasur asnjë njoftim apo ftesë për këtë shqyrtim. Institucioni i Presidentit nuk i lëviz asnjë presje qëndrimit për këtë çështje, të bërë edhe publik.
Mbledhja
Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi sot dekretin e presidentit të Republikës Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”” . Kryetari i këtij komisioni Erjon Braçe tha se dekreti i Presidentit fizikisht është i vërtetë, por në përmbajtje është i rremë. Sipas tij, Presidenti i Republikës pretendon se ne kemi ulur normën e tatimit mbi lojërat e fatit, gjë që rezulton thelbësisht e pa vërtetë.
Në përfundim, anëtarët e komisionit e rrëzuan Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10850, datë 30.07.2018, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”.
KOHA JONË SONDAZH

