PS shtyn me 4 muaj Komisionin hetimor për Metën dhe zgjeron hetimin: Të pyetet Ardian Dvorani
Në Komisionin Hetimor për shkeljet e Presidentit Meta është miratuar shtyrja me 4 muaj e afatit të hetimit të veprimeve të tij.
Në Kuvend kaloi projekt-ligji për një shtesë në përmbajtjen e këtij hetimi, pas anulimit të dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit edhe ajo e dekretimit të Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, e cila çoi më pas në një përplasje me kreun e KED, Ardian Dvoranin.
Mazhoranca pretendon se Meta ka bërë dy shkelje të tjera sa i takon emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, arsye për të cilën kërkoi edhe shtyhrje me 4 muaj këtë komision.
Ndërkohë nga ana tjetër, anëtari i Komisionit të Posaçëm Hetimor, Arben Zeneli ka dalë kundër këtij propozimi pasi kërkon që Komisioni të mbarojë fillimisht për atë çfarë u mblodh fillimisht, pra për anulimin e dekretit të 30 qershorit.
“Të mbarojmë fillimisht për atë çfarë u mblodhëm. Më pas përfundojmë, dhe vijojmë me shtesat.”- tha Zeneli. Halit Valteri gjithashtu deklaroi; “Nuk mund të merremi se çfarë bën sot Meta apo çfarë do bëjë Meta. Nuk bëhet kjo punë shto ujë e shto miell. Jemi kundra shtimit të objekteve të hetimit për Presidentit në këtë Komision.”