PS zgjedh 706 delegatët, Balla: Shumicë qeverisëse edhe në qershor të 2021
Anëtarët e Partisë Socialiste zgjodhën sot përmes parimit “një anëtar një votë” 706 delegatët e Kongresit të PS që do të zhvillohet në fillim të vitit 2020.
Procesit i votimit nisi prej orës 8:00 të mëngjesit të së shtunës, 16 nëntor 2019.
Në përmbyllje të procesit zgjedhor, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, tha se procesi dëshmoi se PS është një shkollë e funksionimit demokratik.
Balla: Përmbyllëm fazën e parë të kalendarit tonë të brendshëm të procesit zgjedhor të nivelit të parë të strukturës sonë organizative. Në 363 vendvotimet nuk është regjistruar asnjë problematikë.
Balla u ndal edhe te dy risitë që pati ky proces.
Balla: Dy risitë e procesit ishin testimi për herë të parë i votimit elektronik në njësinë numër 8 të Tiranës. PS tregoi që nuk është vetëm partia më e madhe dhe më e organizuar, por edhe partia më moderne në vend. Barazia gjinore ishte risia më e madhe e këtij procesi.47% e kandidatëve për delegatë ishin gra dhe vajza.
Për Ballën, “gjithë procesi i këtyre zgjedhjeve në parti ka një rëndësi të veçantë për ecurinë e kësaj gjysme të dytë të këtij mandati të dytë për betejën për rinovimin e mandatit tonë qeverisës, atë të socialistëve dhe progresistëve si shumicë qeverisëse edhe në qershor të 2021”.
Ndër 706 delegatët e zgjedhur, Balla tha se ata janë të ndarë në mënyrë të barabartë, 353 janë gra dhe vajza dhe 353 burra dhe djem.
Balla: Asnjë forcë tjetër përveç PS nuk mund të sillte transformimin epokal qoftë në qeverinë qëndrore, qoftë në nivelin vendor.
Dhe në fund Taulant Balla kishte një falenderim dhe për kreun e PS-së, njëherësh kryeministër i vendit.
Balla: Është padyshim momenti për ti thënë shumë faleminderit udhëheqësit tonë Edi Rama.