Pse Berisha i shkoi në zyrë Bashës? Kadilli zbulon prapaskenat në PD: E bëri me qëllim…
Fatbardh Kadilli, i cili kandidoi për kreun e Partisë Demokratike, nuk u surprizua nga fitorja e Lulzim Bashës. Ky i fundit arriti të marrë 81% të votave të anëtarësisë, duke siguruar kështu mandatin e tretë në krye të kësaj partie. Kadilli tha se gara nuk ishte e barabartë. “Unë kam qenë i qartë për këtë pabarazi, por kjo nuk më tremb. Në një garë nuk ka barazi absolute. Manifesti im politik është platforma më e plotë dhe gjithëpërfshirëse që politika shqiptare ka parë në këto 30 vjet.”
Sa i përket takimit në selinë blu të Berishës me Bashën menjëherë pas votimit, Kadilli e quajti një “gabim të qëllimtë”. “Nëse nuk kanë qenë vetëm, nuk ka asgjë për të thënë. Nëse kanë qenë vetëm për vetëm, është një vendim i pakujdesshëm, por Berisha nuk bën gabime të tilla; është një gabim i qëllimtë. Por unë kam dëgjuar edhe variantin tjetër, që ata kanë qenë nën shoqërinë e njerëzve të tjerë” tha ai në Vizion Plus.
Sipas tij, gara brenda PD-së iu kujtoi demokratëve që partia nuk është ekskluzivitet i një personi. “Unë kam aksionin tim politik, i cili është ringritja e PD. Për këtë, kam propozuar: manifestin politik. Në dy mandatet e tjera e kam ndihmuar Bashën si bashkëpunëtor, sot do ta ndihmoj si partner”, tha Kadilli në mbyllje të bisedës.