Pse burrat shqiptarë rrahin gratë? Gjyqtarja tregon 3 arsyet
Dhuna në familje është një plagë e thellë e shoqërisë shqiptare, dhe këtë fakt e konfirmon gjykata e Tiranës ku mesatarisht çdo ditë 5-6 gra kërkojnë ndihmë. Pse dhunojnë burrat shqiptarë? Gjyqtarja Vjosa Zimi thotë se burrat shqiptare rrahin për shkak të mentalitetit. ”Unë jam burri, unë flas, ti do të dëgjosh, ti do të bindesh”.
Bazuar në çështjet që shqyrton përditë, alkooli është shkaktari i dytë. ”Ata thonë një gotë piva, nuk është dhunë një shuplakë”. Si faktorë i tretë llogaritet papunësia dhe tradhtia. ”Ajo i thotë dil puno, ku janë paratë, ai e rreh. Pra shkaqet ekonomike, i vënë përpara fakteve ai nuk pranon dhe e dhunon”.
Këto janë rrëfimet më të shpeshta të grave në Gjykatë mes të cilave shumë prej tyre thonë se u rrahën nga xhelozia e partnerit.
”Më ka mbetur në mendje rrahja e një gruaje, nuk ulej dot në seancë ndaj qëndroi në këmbë se i lëndoheshin brinjët. Ai jo vetëm e kishte dhunuar, por i kishte qethur flokët zero që ajo mos të dilte nga shtëpia”,-tha ajo për ”TCH”.