Pse DEA kërkon komunikim direkt me shqiptarët? Manja: Shenjë e besimit të fortë ndaj autoriteteve

Dy ditë më parë, Ambasada e SHBA-së në Tiranë njoftoi se DEA ka hapur një linjë të re të sinjalizimit për Shqipërinë. I pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së qeverisë këtë të mërkurë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, tha se kjo është një shenjë e besimit të fortë bashkëpunimin e DEA-s amerikane me autoritetet shqiptare.

Manja tha se agjentët do të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Unë e konsideroj si shenjë e besimit të fortë të autoriteteve të DEA me institucionet shqiptare, bashkëpunimi është i forcuar, që kur u krijua SPAK por edhe më përpara, bashkëpunimi mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda me partnerët tanë amerikanë ka qenë korrekt.

Ju ftoj ta merrni informacionin e plotë dhe të shihni bashkëpunimin e SPAK me autoritetet e DEA-s, dua ta theksoj është shenjë e besimit të fortë ndërmjet autoriteteve tona ligjzbatuese dhe atyre të DEA-s, për ju lajm i gëzuar duhet të jetë ky që ka një vullnet serioz të agjencive të huaja dhe qeverisë shqiptare për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar”, u shpreh Manja.

SHKARKO APP