“Pse e qëllove”? Zbardhet rrëfimi i dëshmitarit për vrasjen e Klodian Rashës
Dëshmitari okular i cili ka parë skenën e vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj më 8 dhjetor 2020 në Tiranë, ka rrëfyer se ngjarja ka ndodhur në pak çaste. Dëshmitari M.A ka treguar se është ndaluar pak minuta para ngjarjes për shkak se qarkullonte me makinë gjatë orarit të ndaluar në drejtimin nga Dogana drejt Zogut të Zi. Ai ka thënë se gjatë gjithë kohës ka qenë brenda makinës së tij, duke i dhënë dokumentet kolegut të Nevaldo Hajdaraj.
Ai ka parë që ka dalë Klodian Rasha në rrugë dhe është ndjekur nga efektivi i policisë Hajdaraj. Më pas dëshmitari ka dalë nga mjeti për të parë çfarë ka ndodhur pasi dëgjoi të shtënat, dhe ka parë 25-vjeçarin të shtrirë në tokë, ndërkohë që ka dëgjuar efektivin tjetër teksa i ka thënë Nevaldo Hajdarajt se “përse e qëlloi”. Në pak minuta, sipas dëshmisë së tij, në vendngjarje mbërritën forca të tjera policore dhe efektivit Hajdaraj iu kërkua që të largohej menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Një tjetër element i rëndësishëm është edhe fakti që në fillim u deklarua nga Nevaldo Hajdaraj, por edhe nga Policia e Tiranës, se 25-vjeçari i ndjerë Klodian Rasha ka qenë i armatosur. Nga hetimet ka rezultuar dhe është konfirmuar se Klodian Rasha nuk ka pasur pistoletë. Mister mbetet se kujt i përket arma që u gjet në një pellg me ujë në rrugicat ku kaloi 25-vjeçari gjatë ndjekjes nga polici Hajdaraj. Kjo armë e gjetur, pas vrasjes së Klodian Rashës u tha se dyshohet që i përkiste 25-vjeçarit, por kjo pistë është rrëzuar.