Pse është problematike marrëveshja Gjermani-Serbi për lituimin?
A është marrëveshja e litiumit me Serbinë e mirë për Gjermaninë? Claudia Kemfert, ekonomiste që merret me energji dhe ekologji, flet për këtë për DW.
Marrëveshja për nxjerrjen e litiumit me Serbinë është më shumë lajm i mirë për zhvillimin ekonomik në Gjermani, apo lajm i keq për mjedisin në Serbi? “Në fakt, të dyja”, thotë profesoresha Claudia Kemfert, një ekonomiste që merret kryesisht me energjinë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Marrëveshja me Serbinë e nënshkruar nga Scholz dhe Vuçiq është problematike për dy arsye: “Së pari, për shkak se ne nuk mund të eksportojmë problemet tona mjedisore. Dhe dy, duhet të kemi kujdes nga kush bëhemi të varur.” Ekspertja thotë se “është mirë nëse jemi më pak të varur nga Kina, por nga ana tjetër, në rastin e Serbisë, duhet përmendur edhe problemet siç është liria e shtypit, apo dhe fakti që ajo nuk i mbështet sanksionet ndaj Rusisë”.
Ajo pretendon se rezervat e litiumit në Gjermani nuk janë aq të mëdha sa në Serbi dhe shton një arsye tjetër pse Gjermania po kërkon litium jashtë vendit të saj është: “Këtu kemi standarde të larta për mbrojtjen e mjedisit, për të cilat në vendet e tjera nuk kujdesemi si këtu. Kjo do të thotë se shumë projekte nuk japin fare rezultat ose duhet shumë kohë për të marrë lejet. Ka mjaftueshëm litium në botë, nuk ka mungesë, prandaj fokusi është në tregun botëror, tek importi.
Në pyetjen nëse kancelari Olaf Soltz është naiv në raport me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ashtu siç ishte ish-kancelarja Angela Merkel me presidentin rus Vladimir Putin, bashkëbiseduesja jonë thotë se Gjermania nuk është më aq naive. “Duhet thënë qartë se Serbia nuk mund të krahasohet me Rusinë. Bëhet fjalë për ndikim dashamirës, miqësor ndaj Serbisë për t’iu përmbajtur qëllimeve dhe standardeve mjedisore. Në fund të fundit, Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, kjo është ajo që ne të gjithë duam dhe ne duhet të ndjekim atë rrugë të përbashkët”.