Pse i duhet Sali Berisha Partisë Demokratike?
Partia Demokratike vazhdon të mbetet partia më e madhe opozitare në Shqipëri dhe emri i saj është i lidhur ngushtë me figurën e Sali Berishës. Edhe pas më shumë se tri dekadash në politikë, Berisha mbetet personazhi me ndikimin më të madh brenda bazës demokrate dhe lideri që ka aftësinë të mobilizojë strukturat e partisë në të gjithë vendin.
Mbështetësit e tij argumentojnë se Berisha është politikani me përvojën më të madhe në opozitë dhe në qeverisje. Pas krizës së thellë që përfshiu Partinë Demokratike gjatë drejtimit të Lulzim Bashës, e cila solli përçarje, largime dhe krijimin e fraksioneve të ndryshme, rikthimi i Berishës u pa nga shumë demokratë si garancia e vetme për ribashkimin e partisë.
Një tjetër arsye pse Berisha konsiderohet ende i nevojshëm për PD-në lidhet me autoritetin e tij politik. Brenda së djathtës shqiptare nuk ka ende një figurë tjetër që të gëzojë të njëjtin ndikim dhe respekt tek baza militante. Pikërisht ky autoritet i lejon atij të mbajë nën kontroll grupime të ndryshme dhe interesa shpeshherë të kundërta brenda partisë.
Po ashtu, për shumë demokratë, Berisha mbetet i vetmi lider që mund të përballet politikisht me Edi Ramën. Përvoja, aftësia polemizuese, njohja e mekanizmave të pushtetit dhe energjia që vazhdon të tregojë në fushatat politike janë elementë që e bëjnë ende figurën qendrore të opozitës.
Megjithatë, edhe mbështetësit më të vendosur të Berishës e pranojnë se koha nuk ndalet për askënd. Vitet kalojnë dhe çdo forcë politike që synon të mbijetojë duhet të mendojë për të ardhmen. Pikërisht këtu lind sfida më e madhe e Berishës: përgatitja e pasardhësit. Por realisht ai ka një “frikë”, njërin që e bëri njeri, i dha pushtet në Ekzekutiv dhe i la drejtimin e PD, ai e preu në besë.
Lulzim Basha, kur iu kërkua nga ambasadorja amerikane dhe qarqet e Sorosit, do të kishte hyrë në histori nëse do të jepte publikisht dorëheqjen nga kryetar i PD dhe nga deputet duke thënë: “Unë nuk mund të përjashtojë nga grupi parlamentar i PD, liderin historik, Berisha”. Dhe ikte, me nder.
Ndaj hezitimi momental i Berishës duhet kuptuar!
Por gjithsesi historia politike tregon se liderët e mëdhenj nuk gjykohen vetëm nga fitoret e tyre, por edhe nga aftësia për të ndërtuar brezin që do t’i pasojë. Partia Demokratike ka nevojë për një tranzicion të qetë, të organizuar dhe të pranueshëm nga shumica e demokratëve. Nëse Berisha arrin të identifikojë, promovojë dhe përgatisë një ekip të ri drejtues që gëzon besimin e anëtarësisë, atëherë ai do të lërë pas jo vetëm një histori politike të gjatë, por edhe një parti të aftë për të vazhduar betejën politike pas tij.
Prandaj, pyetja sot nuk është vetëm pse i duhet Sali Berisha Partisë Demokratike. Pyetja më e rëndësishme është: a do të arrijë Sali Berisha të përgatisë në kohë liderin ose ekipin që do ta drejtojë Partinë Demokratike në epokën pas Berishës?
Kjo mund të jetë sfida e tij më e madhe politike dhe trashëgimia më e rëndësishme që mund t’i lërë së djathtës shqiptare/A.M./
KOHA JONË SONDAZH

