Pse i vrasim gratë? Tushi: Meshkujt kanë koncept të gabuar për burrërinë
”Meshkujt kanë mbetur te mentaliteti i tyre maskilist. Ata kanë një koncept të deformuar për burrërinë, ndërsa femrat kanë evoluar. Emancipimi te femrat është më i shpejt, në këtë shekull, në krahasim me meshkujt”.
Sociologu, Gëzim Tushi, teksa foli për dhunën e shtuar në familje dhe konkretisht ndaj grave në Shqipëri, dha edhe disa arsye të tjera që çojnë në dhunë dhe më keq akoma edhe në vrasje.
”Në radhë të parë, një arsye e dhunës është mentaliteti i vjetër, maskilist. Meshkujt kanë mbetur te mentaliteti i tyre maskilist; E dyta, një pjesë e burrave sot, dembelë, duan të jetojnë në kurriz të grave. Ata kanë filluar të bëjnë një jetë boshe dhe kërkojnë të jetojnë prej tyre; E treta, ka një zgjerim të përdorimit të lëndëve psikotrope, të alkoolit, të cilat sjellin konflikte ne familje. Për fat të keq, familja shqiptare nuk di t’i menaxhojë këto konflikte. Nga konflikte, më pas, ato kthehen në krime banale”
Avokati Adriatik Lapaj theksoi se urdhrat e mbrojtjes janë rezultativ. ”Urdhrat e mbrojtjes janë civilë, nuk janë sanksione penale. Urdhrat e mbrojtjes janë nga mekanizmat që zbatohen mirë dhe me korrektësi. Ka disa mekanizma që e bëjnë një urdhër mbrojtje të funksionojë apo jo. Ligji është ndryshuar në vitin 2018 dhe është bërë shumë i mirë. Problemi qëndron në faktin, që nëse autori del nga shtëpia për ta vrarë, do të vrasi, nuk ke se çfarë t’i bësh”.