Pse u arrestua tani Jorgo Goro? Bashkia e Himarës tashmë dy kryetarët i ka në burg
Himara tashmë nuk ka as kryetarin në detyrë, sepse Jorgo Goro është në burg, siç vijon të qëndrojë kandidati fitues në zgjedhjet lokale të 2023, Fredi Beleri. SPAK ka marrë nën vëzhgim dhe ka ndjekur lëvizjet e Goros që prej tetorit të vitit të kaluar, kur ai u mor nën hetim pas kallëzimit të Fredi Belerit, që e akuzon atë për shpërdorim detyre.
Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës ka qenë nën mbikëqyrjen e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që kanë ndjekur lëvizjet e tij për të parandaluar mundësinë që Goro të ndërhynte te provat, apo dëshmitarët potencialë të SPAK për hetimin e nisur.
Goro akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste, duke pranuar dhe depozituar në institucionet qendrore shtetërore dokumentacione të falsifikuara në lidhje me dy prona që ndodhen në zonën e Dhërmiut.
Pikërisht në këtë zonë ai u prangos mëngjesin e së shtunës në dalje të një bar-kafeje, në pronësi të kryeplakut të fshatit të Dhërmiut. Ndërhyrja e SPAK është bërë nën dyshimet se Jorgo Goro po bënte përpjekje për të siguruar dëshmi të rreme dhe ndërhyrje të tjera në institucionet vendore e qendrore për të prishur provat.