Pse u vonove? Burri në karantinë dhunon gruan, por ajo…
Fatmira jeton në Kamëz. Në këto kohë vetizolimi nga virusi Covid-19, asaj si të gjithëve i janë hapur mjaft vështirësi për të përshtatur rutinën. Bën punët e shtëpisë, mandej herët në mëngjes vrapon për të shkuar në fabrikën e sallamit ku edhe punon. Vështirësia më e madhe që gruaja përballet është kur kthehet, nuk ka asnjë makinë transporti dhe ndaj i duhet të kthehet në këmbë. Veç kësaj, së fundmi gruaja ka hasur probleme edhe me bashkëshortin, i cili i mbyllur në shtëpi nga vetizolimi, por edhe i papunë, duket se nuk i kupton aspak vështirësitë e partneres. Këtë e tregon një kallëzim pranë komisariatit numër 6 nga gruaja, e cila ka njoftuar në sallën operative dhe ka kërkuar ndihmë.
Burimi i gazetës “Si” tregon se H.K sapo gruaja ka hyrë në banesë i ka bërtitur “përse u ktheve kaq vonë” dhe madje më tej ka vazhduar të thyejë orenditë. Çifti ka nisur debatet përmend më tej, burimi i sigurt i gazetës “Si” dhe bashkëshorti ka tentuar ta qëllojë. Siç bëhet me dije në kallëzim gruaja punon në fabrikën e sallamrave dhe ka goxha distancë mes vendit të punës dhe shtëpisë.
Në debat e sipër Fatmira ka tentuar t’ia shpjegojë situatën, por ai as që e ka dëgjuar dhe ka nisur ta qëllojë me shuplaka. Oficeri i policisë, Gëzim Bakiasi, thotë në procesverbal që për të shmangur agravimin e situatës, ka ndërhyrë djali i çiftit, që sapo ka neutralizuar të atin, ka shpejtuar të telefonojë në sallën operative.
Bëhet me dije se sapo në shtëpinë e tyre ka mbërritur patrulla e policisë, gruaja ka dalë në mbrojtje të bashkëshortit. “Ai vetëm më shtyu, nuk më qëlloi siç thotë im bir. Im shoq është pak i stresuar se nuk ka as punë dhe qëndron i mbyllur nga koronavirusi. Vetëm unë sjell të ardhura në shtëpi, në këtë kohë ku është bërë e vështirë të lëvizësh, kthimi në shtëpi nuk ndodh më brenda orarit siç është mësuar ai, ndaj edhe u nxeh dhe humbi kontrollin”, mësohet të ketë deklaruar gruaja.
Sidoqoftë, oficeri i policisë, Gëzim Bakiasi, pasi i ka pyetur të gjitha palët, ka përpiluar dosjen dhe ka referuar H.K për veprën e dhunës në familje sipas nenit 140 a të kodit penal. E njëjta situatë ka ndodhur edhe në Yrshek, ku sërisht një prind i xhindosur ka goditur të bijën, e cila është kthyer vonë në shtëpi. Vajza me inicialet Adela V. tregon se kishte udhëtuar në këmbë për t’u kthyer në shtëpi pas përfundimit të punës, por prindërit e kanë pritur në oborr dhe e kanë dhunuar psikologjikisht.
Policia thotë për gazetën “Si” se episodi i dytë nuk është fiks një rast dhune, pasi e reja kishte fikur telefonin dhe siç deklarojnë prindërit “ata ishin bërë merak dhe ndaj po e prisnin në oborr deri në orët e vona të mbrëmjes”. Siç shton një burim pranë sallës operative, janë shtuar gjithashtu telefonatat e fqinjve, nga njëra anë ata spiunojnë ata që thyejnë karantinën dhe nga ana tjetër tregojnë edhe rastet kur dëgjojnë të bërtitura nga ana tjetër e murit.
Por deklaroi një zyrtar policie, në të paktën pesë raste në Tiranë kemi dërguar menjëherë grupet e gatshme të policisë, por familjarët për të cilët është treguar se në shtëpinë ngjitur po ushtrohej dhunë, e kanë mohuar dhunën që mund të kishte ndodhur aty.
Burimi: Gazeta Si