Pse ulet tani çmimi i energjisë? Kreu i KESH thotë se janë 3 faktorë

Performanca e mirë, reduktimi i humbjeve dhe rritja e nivelit të arkëtimit nga OSSHE, janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në vendimin për uljen e çmimit të energjisë elektrike në vendin tonë. Këtë konfirmoi administratori i KESH-it, Erald Elezi, duke përjashtuar marrjen e këtij vendimi për arsye elektorale.

“Ky vendim u mor në këto momente se është rezultat i një reforme të thellë në sistemin elektro-energjetik kjo reformë ka nisur në 2013-2014, sot janë pjekur kushtet që të gjitha kompanitë e sistemi elektro-energjetik të jenë në gjendje shumë të mirë dhe të bëjnë këtë ulje. Performanca e këtyre kompanive, kemi arritur që të kemi mundësinë për të përballuar këtë ulje.

Performanca e mirë e OSSHE që lidhet me reduktimin e humbjeve që përkthen në të ardhura direkte dhe nivel arkëtimesh rekord që është meritë e OSSHE që ka arritur 100.5% niveli i arkëtimeve, por edhe KESH për shkak të diversifkimit të portofolit dhe aseteve të reja që do na shtohen, bën që të kemi më shumë flukse dhe të ulim energjinë për konsumatorin familjar. Mund të ketë zëra që thonë për arsye elektorale por nuk vjen si pasojë e një vendimmarrje politike por si rezultat i një analize që ka zgjatur shumë kohë dhe na tregon që mund ta përballojmë këtë çmim. Pritshmëria është që ky çmim të ketë kohëzgjatje”, tha ai në A2 CNN.

Nga ky vendim sipas Elezit do të kursehen në total në vit 3.1 miliardë. Sipas tij, në favor të shqiptarëve nuk është fasha, pasi ajo nxit konsumin, kurse kategorizimi nxit kursimin e energjisë. ‘‘Në favor të shqiptarëve nuk është fasha, sepse vendimi i sotëm nuk është vendosje fashash por kategorie konsumi. Të gjithë që janë në 70kë do paguajnë çmim të reduktuar ata që janë mbi 700 do të paguajnë njësoj. Fashat incentivojnë konsum. Kurse kategorizimi i konsumit incentivon kursimin e energjisë. Efekti total i këtij kursimi është 3.1 miliardë në total në vit dhe bëhet fjalë për 95% të konsumatorëve. 3.1 miliardë para të kursyera janë para që kursehen nga konsumatorët. Efekti nuk është qesharak, por përballohet nga kompanitë e sektorit energjetik. Janë rreth 1mln e 70 mijë konsumatorë, efekti real i këtij vendimi do të duket kur të shohim incentivën për uljen e konsumit”.

SHKARKO APP