Pse Vuçiq po përgatitet me opsione nëse fiton Harris apo Trump dhe si do të ndikojë në çështjen e Kosovës?

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, është duke u përgatitur për ardhjen e Kamala Harris, kandidates demokrate, dhe Donald Trump, kandidatit republikan, në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, të cilat pasojnë në më pak se dhjetë ditë.

Vuçiq, në televizionin Prva tha se ekzistojnë dy të panjohura se çfarë po vjen nga Amerika, por pa specifikuar se kur dhe ku do të jetë takimi.

Ai po ashtu tregoi se BE-ja po përgatitet për ardhjen e Trumpit.

“Ata po përgatiten për të. Ne do të përgatitemi për të dy variantet javën e ardhshme. Do të kemi një takim dhjetë orësh për t’u përgatitur për të dyja variantet” – ka paralajmëruar ai.

Njohës të politikës thonë se është një vendim i mirë, pasi nëse Trump fiton gjatë tranzicionit të pushtetit, mund të krijohet një situatë e tensionuar për shkak të pritshmërive nga vendet e rajonit dhe reagimeve të liderit ndaj tyre.

Igor Novakoviq, drejtor kërkimor i Fondit Isac, thotë për Danas se në rast të fitores së Kamala Harris, nuk ka të panjohura të mëdha.

Megjithatë, ajo që nuk dihet është se çfarë do të ndodhë në rast të fitores së Trump.

“Domethënë, atëherë do të ketë nja dy muaj tranzicion të pushtetit dhe situata mund të bëhet mjaft e tensionuar për sa i përket pritjeve nga vendet e rajonit dhe reagimit të liderëve rajonal ndaj tij. Këtu para së gjithash e kam fjalën për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës” – thekson ai.

Boshko Jakshiq, analist i politikës së Jashtme thotë se ky është një lajm i mirë dhe i pritshëm sepse çdo vend, përfshirë edhe Serbinë, duhet të ketë një plan të qartë dhe variantin A dhe B në lidhje me rezultatin e atyre zgjedhjeve.

“Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme që do të kenë ndikim në pozitën gjeostrategjike të Serbisë dhe në zhvillimin dhe pozicionimin e përgjithshëm të këtij vendi. Duhet të merret diplomacia serioze” – thotë ai.

I pyetur se çfarë pikash duhet të përmbajë ai plan, Jakshiq përgjigjet se në radhë të parë duhet nisur nga pritshmëritë e politikës amerikane në lidhje me faktin nëse Trump apo Harris janë në Shtëpinë e Bardhë dhe se tashmë kemi mjaft parametra që të mund të themi se çfarë politika e jashtme do të jetë Trump dhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Serbisë dhe cila do të ishte politika e Harris.

“Politikat e tyre janë një konflikt absolut i dy vizioneve, jo vetëm të Amerikës, por edhe të botës. Në rastin e Trump, është forcimi i izolacionizmit të Amerikës, përballja me Kinën, rrezikimi i Ukrainës, qasja e kujdesshme ndaj Rusisë dhe mbështetja e të gjitha partive autoritare në mbarë botën. Prandaj, në atë variant, qeveria në Beograd mund të ishte më e kënaqur sepse sigurisht që nuk do të vinte nën kritika. Edhe pse ajo do të duhej të merrte në konsideratë opsionin se çfarë do të bëjë, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Serbisë dhe Kinës, sepse Trump është aq i kthyer kundër Kinës, saqë për të është pothuajse një obsesion”, u shpreh Jakshiq.

Prandaj, thotë ai se do të pritej që të kishte një plan se si t’i përgjigjet presioneve që administrata Trump do të ushtronte mbi Beogradin për të zvogëluar afrimin me Kinën.

“Në rastin e Kamaple Harris, mund të pritet vazhdimi i doktrinës së Biden-it për demokracinë kundër autokracisë, e cila përfshin luftën për të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës, institucionet e pavarura dhe median e lirë. Pra, një listë e tërë që nuk i përgjigjet autoriteteve serbe. Duhet të ketë një plan se si t’i rezistojmë atij lloj presioni që do të vinte nga Uashingtoni”, thekson Jakshiq.

I pyetur nëse Kosova duhet të jetë në agjendë, ai është përgjigjur se nuk ka zgjidhje, as njëra e as tjetra.

“Trump u përpoq të lëvizte diçka me stimuj ekonomikë, por nuk funksionoi. Madje pati një fiasko sepse Izraeli e njohu Kosovën pas Marrëveshjes së Uashingtonit, gjë që nuk është premtuese. Sa i përket Kosovës, nga Harris mund të pritej një koordinim më i madh me BE-në dhe ndoshta kjo do të nënkuptonte përfshirje më të madhe të Amerikës për të nxitur negociatat. Amerikanët tradicionalisht janë mjaft të pakënaqur me inertitetin e BE-së, e cila nuk bën ndonjë përparim në këtë drejtim. Dhe ndoshta do të insistonin shumë më tepër që pikat nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit të zbatohen”, përfundon Jakshiq.

Ndryshe nga herët e mëparshme, Vuçiq nuk tregon mbështetje të tepruar dhe të dukshme për asnjërin nga kandidatët në zgjedhjet në Amerikë dhe vlerëson se fushatat e të dy kandidatëve janë jashtëzakonisht të mira./Telegrafi/

SHKARKO APP