Publikohen masat për rikthimin e nxënësve në shkolla: Nga zbatimi i përpiktë i orarit deri te distanca 1.5m

Teksa dhe një javë na ndan nga rifillimi i mësimit për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe atyre të mesme, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka rikthyer në vëmendje masat anti-Covid që do shoqerojnë procesin mësimor.

“Sot zhvillova një takim me drejtuesit e Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar mbi masat e marra për vitin e ri shkollor 2021-2022. Në fokus kryesor të takimit ishte respektimi i protokolleve sipas “Udhëzuesit mbi masat ndaj COVID-19 në strukturat arsimore parauniversitare”, të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në respekt rigoroz të ruajtjes së distancës, në shkollat apo klasat ku është e nevojshme, do të aplikohet përsëri mësimi me turne. Puna vijon që çdo gjë të jetë gati më 27 shtator“, shkruan Kushi.

Disa nga masat e marra përfshijnë respektimin me rigorizitet të orarit të hyrjes dhe daljes nga shkolla, si dhe rreshtimin në një largësi 1.5 metra nga njëri-tjetri.

Komiteti Teknik ka vendosur se kur një nxënës ka simptoma Covid ai duhet të lajmërojë mësuesin kujdestar, i cili në bashkëpunim me mjekun e shkollës apo familjes vërteton nëse është i sëmurë.

Të gjithë nxënësit duhet të jenë të pajisur me maskë mbrojtëse. Gjithashtu shkollat, sipas mundësive, duhet të ofrojnë dezinfektim për këpucët e fëmijëve para se të futen në institucionet e arsimit.

Nuk lejohet që nxënësit të dalin apo të futen përsëri në godinë. Do të ketë vetëm një herë hyrje në shkollë dhe më pas një herë dalje.

SHKARKO APP