Publikohet blerja 2.5 mln euro e pajisjeve mbrojtëse për mjekët, Spahia: Qeveria e papërgatitur
Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia thotë se blerja e pajisjeve mbrojtëse për mjekët është një muaj me vonesë. Në një reagim në Facebook, Spahia thotë se opozita kërkoi të merreshin masa që në fillim të shkurtit. Sipas tij, qeveria është e papërgatitur dhe se infektimi i 9 mjekëve e infermierëve është pasojë e vendimeve të vonuara të kryeministrit Rama.
Reagimi i Bardh Spahisë
Që në fillim të muajit Shkurt, Opozita dhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkoi që të merren menjëherë masa për të pajisur stafin mjekësor me pajisje mbrojtëse të domosdoshme, për të përballuar situatën e pritshme me koronavirus. Qeveria u tall, bëri propagandë dhe Edi Rama zotohej deri më 9 Mars se Shqipëria nuk është e kërcënuar dhe se fundi i botës nuk po vinte, për shkak të “masave penguese” që kishte marrë Qeveria!
Rasti i parë me COVID-19 u konfirmua në 9 mars. Vazhduam pa pushim, me përgjegjshmëri të plotë, të kërkojmë pajisje mbrojtëse për mjekët, të bindur se Shqipëria nuk ka luksin për të futur në karantinë mjekët, dhe se siguria e mjekëve dhe infermierëve, është mburoja e vetme midis qytetarëve dhe virusit. Ajo që u provua ishte se e vetmja masë mbrojtëse që kishte ofruar Qeveria ishin 1.2 milion maskat e skaduara, të cilave me vetëdije u kishte mbuluar datën e skandencës.
Dokumenti më poshtë provon se shqetësimi ynë i gjithë këtyre ditëve ishte i drejtë dhe se Qeveria e mori lehtë dhe u kap e papërgatitur nga situata e krijuar. Edi Rama bleu mjete mbrojtëse personale (edhe kjo blerje në sasi të pamjaftueshme) 1 muaj me vonesë dhe vetëm 12 ditë pas konfirmimeve të rasteve të para të të prekurve me COVIOD-19. Nuk dua të komentoj fare faktin se blerja është kryer me kontratë sekrete, apo thënë ndryshe pa garë, sepse Qeveria kështu ka vepruar në kohë normale, dhe jo më në këtë kohë emergjence, por sigurisht dua të shpreh indinjatën time për një vendim kaq të vonuar.
Mosmarrja e vendimeve të duhura, në kohën e duhur, është arsyeja e vërtetë pse Edi Rama po detyron qytetarët të mbajnë të gjithë peshën e sakrificës dhe prej ditësh ka vendosur të braktisë detyrën e Kryeministrit dhe të mbyllet në shtëpi. Është pasojë direkte e vendimeve të vonuara të Edi Ramës infektimi i 9 mjekëve/infermierëve dhe vetëkarantimi i dhjetëra të tjerëve.
Dua të përsërisë pa pushim: Qeveria të vendosë në dispozcion të shëndetësisë fondet e nevojshme, pajisjet e nevojshme, si dhe pa humbur kohë më shumë, të blejë në sasi të mjaftueshme edhe testet dhe materialet testuese për qytetarët.