Publikohet data për mjekët që do t’i nënshtrohen testimit për të marrë licencën

Radhën për t’iu nënshtruar provimeve të shtetit e kanë profesionistët e mjekësisë. Në kuadër të detyrimit ligjor për t’u testuar më parë se të marrin licencën, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka përcaktuar muajt dhjetor-janar në dispozicion të bluzave të bardha, mjekë, farmacistë, stomatologë, infermierë, mami, logopedë, fizioterapistë dhe teknikë imazherie e logopedie.

Ne faqen e saj zyrtare është dhënë njoftimi për afatin, si dhe kushtet e provimeve për të cilat duhet të jenë në dijeni më parë kandidatët që futen në sezonin XXI të provimeve të shtetit. Aktualisht QSHA po bën gati listat e kandidatëve me emrat dhe përbri tyre datën e saktë dhe orarin e provimit, i cili është shumë me rëndësi, pasi mosrespektimi i tij, çon në penalizimin e kandidatit për t’u futur në provim.

Kështu, ai nuk ka mundësi as të kërkojë për një vend pune e as fatura e paguar prej 10 mijë lekësh nuk i kthehet. Që të mos përballet me këto pasoja, kandidati që e gjen veten në listë duhet të paraqitet në ambientet e QSHA-së 30 minuta para orës së paracaktuar me kartë ID me vete, kopje të saj, si dhe faturën origjinale me vulën përkatëse të pagesës së tarifës për pjesëmarrjes në provim.

“Kandidatët që nuk paraqesin dokumentet e mësipërme nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit. Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, ju bëjmë me dije se orari do të jetë i përcaktuar për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar në faqen zyrtare të QSHA-së”, saktëson me bold QSHA në njoftimin e saj zyrtar.

SHKARKO APP