Publikohet në Fletoren Zyrtare vendimi i qeverisë për shtyrjen e qirave me 2 muaj për 3 kategori
Botohet në fletoren Zyrtare vendimi i qeverisë për të shtyrë pagesën e qirasë për 2 muaj, prill dhe maj për 3 kategori, biznesin e vogël që është mbyllur për shkak të situatës, familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës dhe studentët që janë larguar për në banesat e tyre pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë.
Ky vendim është një shtesë që i bëhet aktit normativ nr.3 të datës 15 mars 2020 të Këshillit të Ministrave , “për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.
“Detyrimi i prapambetur i këtyre dy muajve do të paguhet nga qiramarrësi, në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin, pas muajit maj 2020. Për ato kontrata që përfundojnë përpara afatit 31 maj 2020, detyrimi i prapambetur do të paguhet nga qiramarrësi brenda tre muajve pas datës 31 maj 2020”, thuhet parimisht në aktin normativ.
Ndërkaq, akti normative parashikon se të gjithë qiradhënësit të cilët nuk e zbatojnë këtë vendim pritet të përballen me penalitete.
“Të gjithë qiramarrësit e përcaktuar në këtë pikë, të cilët kanë ankesë për qiradhënësin si pasojë e moszbatimit të detyrimeve të mësipërme, do t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nëpërmjet komunikimit elektronik.
Qiradhënësit, të cilët nuk e zbatojnë këtë pikë, dënohen me gjobë në masën e pesëfishit të qirasë mujore përkatëse.
Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për ndjekjen dhe zbatimin e parashikimeve të kësaj pike dhe nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse.”
Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas publikimit.
Përplasja për vendimin
Qeveria përgatiti dhe prezantoi dje një akt normativ për të shtyrë pagesën e qirasë për 2 muaj, prill dhe maj për 3 kategori, biznesin e vogël që është mbyllur për shkak të situatës, familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës dhe studentët që janë larguar për në banesat e tyre pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë.
Kreu i qeverisë theksoi se 3 kategoritë nuk do i paguajnë qiratë për prillin dhe majin dhe pas dy muajve në mënyrë proporcionale do të fillojnë të paguajnë detyrimet. Por çfarë ndodh me ata që nuk kanë një kontratë noteriale? Kryeministri propozoi dy rrugë; ose të pranojnë fatin e tyre që e kanë shkruar vetë ose të denoncojnë. Por çfarë do të ndodhë me ata persona që qiranë e kanë burimin e vetëm të jetesës. Për këtë kategori, kryeministri tha se do të trajtohet ndryshe, pra do të ketë specifikime.
Nisma e kryeministrit Edi Rama për shtyrjen e qirasë për bizneset e vogla, familjet në nevojë dhe studentët, duke paralajmëruar qiramarrësit se nëse bëjnë rezistencë do të gjobiten pesëfishin e shumës së qirasë që marrin ka sjellë reagimin e ashpër të Partisë Demokratike, duke e cilësuar këtë nisëm si antikushtetuese dhe se po nxit përplasje sociale mes shqiptarëve vetëm për të mbrojtur oligarkët e tij të 120 milionë eurove që u jep koncesionet.
Pas akuzave të PD, ka qenë edhe më i ashpër reagimi i kryeministrit Rama duke i cilësuar si një çetë vulëhumburish ndaj hallexhinjve të kësaj lufte. Por kjo nuk ka mbajtur PD-në e heshtur ,ku përmes sekretari të përgjithshëm Gazmend Bardhi shprehet se Rama nuk duhet të merret me sulmet ndaj opozitës, por të anulojë koncesionet dhe të ushqejë familjet me bukë, pasi buxheti i shteti mund ta përballojë këtë gjë.