Publikohet për herë të parë dokumentari amerikan i vitit 1936 që zemëroi mbretin Zog

Nga Ilir Ikonomi-
DOKUMENTARI AMERIKAN QË ZEMËROI MBRETIN
Në gusht 1936 në të gjithë Amerikën u shfaq episodi me titull “Albania!” i serialit të dokumentarëve The March of Time (Marshi i Kohës).
Një kameraman amerikan kishte qenë në Shqipëri dhe kishte arritur të bindte Zogun të filmohej duke ecur me adjutantët dhe me nipin e tij Tati në territorin e pallatit, aty ku sot është Akademia e Shkencave.
Por e gjithë kjo dukej se ishte një kurth për mbretin, i cili ishte ende beqar.
“Edhe një bari në malet e Shqipërisë nuk është më i vetmuar se sa mbreti shqiptar”, thotë folësi në dokumentar.
“Kur turistë të rastit vijnë nga Durrësi në një hotel të Tiranës, Mbreti Zog ndonjëherë kërkon të takohet me ta për të biseduar rreth botës jashtë Shqipërisë. Dihet se, në netët e tij të vetmuara, mbreti shqiptar vëzhgon tinëz me dylbi hotelin nga pallati”.
Në dokumentar shfaqet pastaj një dhomë e hotelit, ku katër tregtarë amerikanë që pijnë duhan e luajnë me letra, ndërkohë që vëzhgohen me dylbi nga Zogu. Papritur bie zilja e telefonit dhe njëri nga tregtarët ngre receptorin. Pason ky dialog i sajuar që luhet nga aktorë:
-Alo!
-Më falni, çfarë po luani, brixh apo poker? – pyet zëri nga ana tjetër e linjës.
-Poker, – përgjigjet tregtari i habitur.
-Atë po mendoja edhe unë, – thotë zëri.
-Po kush jeni ju? – pyet tregtari.
-Jam Mbreti Zog. Kam shumë dëshirë të vij aty dhe të luaj.
-Natyrisht, Madhëri.
-Atëherë, po vij menjëherë.
-E morët vesh? – u thotë tregtari shokëve pasi mbyll telefonin. Ishte Mbreti i Shqipërisë. Është nisur për të ardhur këtu.
Të gjithë shikojnë njëri-tjetrin me habi.
Pas këtij dokumentari Ahmet Zogu u ndje i fyer. Ministri i Jashtëm, Fuad Asllani, thirri të ngarkuarin amerikan me punë në Tiranë, Riggs, të cilit i protestoi dhe e pyeti nëse qeveria amerikane mund t’i ndiqte penalisht producentët.
Riggs u përgjigj se, në qoftë se qeveria shqiptare dëshironte ta ndiqte çështjen në rrugë ligjore, ajo mund të kërkonte mendimin e një avokati në SHBA.
Më vonë, legata amerikane në Tiranë shprehu keqardhje për incidentin dhe çështja u mbyll.
E megjithatë, jo të gjithë në Amerikë mendonin se episodi ishte një fyerje ndaj mbretit. Përkundrazi, e gjitha kjo mund të shihej si një shaka e bukur dhe reklamë falas për mbretërinë e vogël.

SHKARKO APP