Puna e Policisë në një javë: 136 të arrestuar dhe 23 të shpallur në kërkim
Në një javë Policia e Shtetit ka realizuar 20 operacione policore, ku në pranga kanë rënë 136 persona, si edhe 23 të tjerë janë shpallur në kërkim. Po ashtu në njoftimin e Policisë, thuhet se janë shtuar masa për përballimin me sukses të fluksit në pikat e kalimit kufitar, në nisje të sezonit turistik. “Kontrolle intensive të mjeteve lundruese dhe argëtuese që përdoren gjatë sezonit turistik. Kontrolle të shtuara edhe në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe trafiqeve të paligjshme”.
Njoftimi i plotë
Angazhim, përkushtim, vendosmëri dhe profesionalizëm nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, për të parandaluar dhe luftuar krimin. Masa të shtuara për rritjen e parametrave të rendit dhe sigurisë në të gjithë vendin, gjatë sezonit turistik veror.
•Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 493 persona, nga këta: 136 janë arrestuar, 334 janë proceduar penalisht dhe 23 janë shpallur në kërkim.
•Janë kapur në total 54 persona në kërkim, 51 prej tyre në kërkim kombëtar dhe 3 në kërkim ndërkombëtar.
•Janë zhvilluar 20 operacione policore të koduara: “Mbikalimi”, “Chiller”, “Replace”, “Promise”, “Komuna”, “Zenelaj”, “Double 3”, “Thirra”, “Gryka”, “Vazhdimësia”, “Shënjestra 2”, “Muriqani”, “Perimetri”, “Zimaj”, “Tjetërsimi i Lagunës”, “Butterfly”, “Luzi 2”, “Kulla”, “Agimi” dhe “Bruz Zalli”, nga këta:
• 4 për goditjen e armëmbajtjes pa leje;
• 6 në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shitjes të lëndëve narkotike;
• 3 në fushën e dhënies ndihmë emigrantëve të paligjshëm, për të kaluar kufirin;
• 3 për kapjen e personave në kërkim;
• 2 në fushën e mashtrimit;
• 1 për goditjen e tregtimit të lëndëve eksplozive;
• 1 për goditjen e krimeve mjedisore.
•Si rezultat i operacioneve dhe goditjeve nga DVP në qarqe, janë sekuestruar rreth 30 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, kokainë, heroinë, ekstazi, mijëra bimë narkotike, sende me vlerë të dyshuara të vjedhura, 3 celularë dhe shuma parash që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale.
•Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 12 raste dhe janë sekuestruar 4 armë zjarri, 1 armë sportive, 4 thika, 2 doreza metalike, 1 kg lëndë eksplozive tritol dhe municion luftarak.
•Janë goditur 10 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 50 raste të dhunës në familje.
•Janë evidentuar dhe goditur 35 raste të krimeve mjedisore, 5 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 8 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.
•Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 35 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 29 raste.
Policia Rrugore/Monitorim intensiv në të gjitha akset rrugore, duke përdorur makinën inteligjente “Poliscan”, lexuesin automatik të targave, radarët automatikë të vendosur në flotën e automjeteve të reja, kamerat dhe mjetet e tjera të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
•Nga data 31 maj deri në datën 4 qershor, shërbimet e Policisë Rrugore dhe të strukturave të tjera të Policisë kanë qenë të angazhuara për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv “Turi i 79-të Çiklistik i Shqipërisë” që u zhvillua në disa qytete, i cili u mbyll pa asnjë problem.
•Gjatë kësaj jave janë pezulluar 574 leje drejtimi, nga të cilat: 413 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 115 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 46 për qarkullim në sens të kundërt.
•Janë arrestuar 61 drejtues mjetesh, nga këta: 24 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 37 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
•Janë arrestuar 2 shtetas që drejtonin automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike, si dhe janë goditur 3 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
•Janë vendosur 16 633 masa administrative, kryesisht për shkeljet që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.
Policia Kufitare/Masa të shtuara për përballimin me sukses të fluksit në pikat e kalimit kufitar, në nisje të sezonit turistik. Kontrolle intensive të mjeteve lundruese dhe argëtuese që përdoren gjatë sezonit turistik. Kontrolle të shtuara edhe në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe trafiqeve të paligjshme.
•Gjatë kësaj jave janë kapur 15 shtetas në kërkim, nga të cilët 13 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar.
•Janë proceduar penalisht 8 shtetas, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”; 6 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 7 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
•Gjithashtu, janë goditur 23 raste të mitëdhënies dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, të cilët, për shkak të mangësive në dokumentacion, kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Kufitare.
Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, si dhe për të garantuar rendin e sigurinë në të gjithë vendin dhe sigurinë rrugore gjatë sezonit turistik veror.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se është në shërbim të tyre dhe në zbatim të ligjit, si dhe i fton sërish ata për të denoncuar në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.