Puna e Policisë së Shkodrës, Gledis Nano: Të goditen grupet kriminale

Analiza e Policisë ka vijuar për qarkun e Shkodrës, ku drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano ka kërkuar më tepër angazhim nga strukturat për të parandaluar ngjarjet kriminale. Ai ka theksuar se s’do ketë asnjë tolerancë për efektivët e policisë që shpërdorojnë detyrën.

”Duhet më tepër punë parandaluese dhe forcë reaguese ndaj çdo individi/grupi kriminal. Tolerancë zero ndaj krimit dhe ndaj çdo punonjësi policie që shpërdoron besimin që i është dhënë apo tradhëton parimet dhe kolegët”,-tha Nano.

Kreu i Policisë së Shtetit ka kërkuar që performanca e policisë në komunitet, të rritet akoma më tej dhe punonjësit e policisë t’u ofrojnë një shërbim sa më cilësor qytetarëve dhe të reflektojnë një sjellje të denjë për të qenë punonjës policie.

Gledis Nano ka kërkuar një bashkërendim të punës midis Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin, por dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese, që të koordinojnë veprimet me njëra-tjetrën, të grumbullojnë informacion, të bëjnë analiza risku dhe të godasin sa më ashpër, me zero tolerancë, këdo që tenton të kryejë këtë veprimtari kriminale.

SHKARKO APP