Puna në Spitalin Memorial në Fier, jehonë në televizionet turke: Do të forcojë miqësinë turko-shqiptare
Momentet e punës në Spitalin Memorial të Fierit që ka nisur punën prej 1 jave, janë filmuar nga televizionet turke, të cilat orët e fundit kanë intensifikuar reportazhet atje. Televizioni turk TRT, i ka kushtuar një artikull të veçantë spitalit Memorial rajonal në qytetin e Fierit, i ndërtuar me fondet e qeverisë turke në një kohë rekord prej 3 muajsh. Në artikull theksohet se ky spital do të forcojë miqësinë shqiptaro-turke.
Zv.drejtori turk, thotë se dy ndërhyrjet e para janë kryer dhe mendon se në të ardhmen do të zhvillohen edhe operacione të vështira. Drejtoresha shqiptare specifikon më tej se për çfarë bëhet fjalë konkretisht. ”Në mesin e muajit qershor do të nisim të ofrojmë shërbime më të specializuara si urgjenca kirurgjikale, shërbimi i okulistikës, ORL. Dhe në korrik do të hapim shërbimet kirurgjikale madhore”, tha Rudina Degjonaj. Ky spital i ndërtuar në një kohë rekord, ka në një sipërfaqe totale prej 17 425 metra katrorë, 150 shtretër, 6 salla operacioni dhe 6 poliklinika.
Kirurgu i përgjithshëm Frenki Vila, i cili është pjesë e stafit shqiptar, gjithashtu u shpreh se pacientët janë të kënaqur me shërbimin. Duke deklaruar se stafi është gjithashtu i kënaqur me kushtet e punës, Vila tha, “Padyshim, emocionet janë pozitive. Kushtet janë perfekte, veçanërisht për një spital të ri që po fillon çdo gjë nga fillimi. Ne filluam me ndërhyrje kirurgjikale dhe do të rrisin nivelin e vështirësisë gradualisht”. Duke theksuar se bashkëpunimi i tyre me kolegët e tyre turq është shumë i mirë, si dhe i frytshëm, Vila tha, “Unë mendoj se jemi me fat që kemi mundësinë për tu drejtuar nga stafi turk dhe për të mësuar më shumë për mjekësinë në përgjithësi, por edhe për veten time”.
“Ne jemi mirënjohës Presidentit Erdogan”. Ndrec Pergjegji, një nga pacientët e parë që u trajtua në spital tha se mori një shërbim shumë cilësor në spital dhe se kishte një staf shumë të përkushtuar. Duke shpjeguar se bashkëpunimi midis stafit turk dhe shqiptar ishte në një nivel të lartë, Pergjegji tha, “Ne jemi mirënjohës Presidentit Erdogan dhe qeverisë shqiptare që e bënë këtë spital kaq të bukur dhe madhështor. Ne jemi shumë të kënaqur”, tha. Pergjegji tha se spitali është një kontribut i madh në sistemin shëndetësor shqiptar dhe se profesionistët turq dhe shqiptarë ofrojnë shërbime të shkëlqyera. Shkelqim Liçaj, i cili bëri një ndërhyrje në spital, deklaroi se shërbimi ishte shumë i mirë. “Stafi, mjekët, infermierët, të gjithë veprojnë me përgjegjësi. Përkundër situatës sonë shumë problematike, ekziston pastërti dhe rregull”.
Spitali i Miqësisë Fier Turqi-Shqipëri, ka një sipërfaqe totale prej 17,425 metra katrorë, me një kapacitet me 150 shtretër, ka 6 salla operative dhe 6 poliklinika. Modeli i autonomisë së spitalit zbatohet për herë të parë, ku personeli shëndetësor turk dhe ai shqiptar do të menaxhohen bashkërisht gjatë periudhës së tranzicionit.
Spitali Rajonal Memorial i Fierit i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë rajonin e jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore. Ky spital do të ofrojë edhe shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë si edhe traumatologjisë. Jo më pak se disa ditë më parë, në këtë spital u krye edhe operacioni i parë.